Vdes shefi i arrestuar i mafias italiane Matteo Denaro

BOTA


Shefi i mafias italiane, Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua në janar pasi i kaloi 30 vjet në arrati, ka vdekur në moshën 61-vjeçare, njoftoi të hënën agjencia e lajmeve, ANSA.

Messina Denaro vuante nga kanceri në kohën kur u arrestua. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në javët e fundit dhe ai u dërgua në një spital nga burgu i sigurisë së lartë në Italinë qendrore.

Mjekët ndaluan së ushqyeri Denaron, pasi ai kishte rënë në koma të pakthyeshme.

Denaro ishte dënuar për krime të shumta, përfshirë për rolin në planifikimin e vrasjeve të prokurorëve anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino më 1992. Këto krime e tronditën Italinë dhe nxitën një luftë ndaj mafisë siciliane.

Ai ishte përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij të mos dëshmonte në gjyq kundër mafias.

Ai ishte mbajtur peng për dy vjet, pastaj ishte vrarë.

I biri i një mafiozi, Messina Denaro u lind në qytetin jugperëndimor të Sicilisë, Castelvetrano në vitin 1962. Njëlloj si babai i vet, ai iu bashkua mafias herët dhe në moshën 15-vjeçare barte revole.

Policia thotë se ai e kreu vrasjen e parë kur ishte vetëm 18 vjeç.

Denaro vetë kishte deklaruar më parë se kishte vrarë aq shumë njerëz mjaftueshëm sa për ta mbushur një varrezë.

Ai u fsheh në vitin 1993, pasi shumë pjesëtarë të mafias filluan t’i ofronin policisë hollësi për rolin e tij në mafi, por hetuesit besojnë se ai rrallëherë u largua nga Sicilia.

Denaro nuk u martua kurrë, por kishte një numër dashnoresh. Ai shkroi se e kishte një vajzë, të cilën nuk e takoi kurrë.



Skip to toolbar