DASH dënon sulmin ndaj policëve të Kosovës, thirrje Prishtinës dhe Beogradit për dialog

KOSOVA


Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin çdo retorike që mund të nxisin më tej konfliktin.

Nën një konference për shtyp, Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matt Miller, dënoi edhe njëherë sulmin e organizuar ndaj policëve të Kosovës.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën dhe kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE,” tha ai.

Rikujtojmë se policia e Kosovës tha se një grup prej rreth 30 serbësh të armatosur i zunë pritë një patrulle policie herët të dielën, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur një tjetër, përpara se të largoheshin dhe të strehoheshin në një manastir aty pranë.

Tre personat e armatosur u vranë në një shkëmbim zjarri me policinë dhe dy u arrestuan. Shumica e të armatosurve serbë arritën të dilnin fshehurazi nga manastiri dhe të arratiseshin në këmbë.

Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për ngjarjen e së dielës duke theksuar se incidenti reflekton rritjen e tensioneve gjeopolitike në Ballkan, pasi Rusia, e frustruar nga mbështetja e fortë e Europës për Ukrainën, po përpiqet të përdorë ndikimin e saj me aleatët në Serbi dhe gjetkë për të nxitur tensionet, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.



Skip to toolbar