Bombardimet izraelite vijojnë ditë e natë në territoret e kontrolluara nga Hamasi në Rripin e Gazës. Vetëm në orët e para të kësaj të Mërkure, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një numër rekord prej 250 sulmesh ajrore në orë kundër objektivave të Hamasit.
Synimi është spastrimi i njësive të Hamasit nga zonat pranë kufirit me Izraelin për t’i lënë rrugën e lirë trupave tokësore të nisin sulmin e madh, të cilin kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e ka konsideruar si “katastrofë të madhe” që do t’i ndodhë Rripit të Gazës, si hakmarrje për sulmin e befasishëm të nisur të Shtunën në jug të Izraelit nga Hamasi.
Nuk kanë munguar kundërpërgjigjet me breshëri raketash nga Hamasi drejt Izraelit, ndërsa numri i viktimave mes të dyja palëve ka arritur në mbi 2 mijë. Këtë të Mërkurë, Izraeli njoftoi rritjen e bilancit në 1200 të vdekur, ndërsa palestinezët në 900.
Ende pa nisur sulmi izraelit nga toka, për të cilin janë grumbulluar dhjetëra mijë trupa e makineri të rënda ushtarake, Rripi i Gazës duket i rrafshuar. Mungon energjia elektrike, ushqimi, uji i pijshëm, ilaçet e karburanti, ndërsa kudo të sheh syri vetëm rrënoja.
Abu Muath, banor i Gazës: Kjo s’është parë askund tjetër, as në Hiroshima e Nagasaki. Ata po godasin njerëz pa dallim, fëmijë, pemë e madje edhe gurët. Asgjë nuk është e sigurt.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve të largohen sa më shpejt nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre tashmë kanë marrë arratinë drejt Egjiptit.
Ky i ri ka mbetur i vetëm dhe vajton për 8 pjesëtarët e familjes që i janë vrarë këto ditë nga bombat izraelite. Varre pa fund po hapen edhe në Izrael, ku edhe atje vuajtjet e civilëve janë po aq të mëdha.
Kjo vajzë shpërtheu në lot në një intervistë për televizionet izraelite, kur rrëfeu se terroristët e Hamasit, kishin hedhur në Facebook trupin e pajetë të gjyshes së saj, që e kishin ekzekutuar të Shtunën vetëm pak minuta pasi ajo kishte folur me të në telefon.
Ndërkaq, ushtrisë izraelite po i vijnë ndihma logjistike nga Shtetet e Bashkuara. Nuk përjashtohet mundësia që pas nisjes së sulmit në Gaza, Hezbollahu, aleati libanez i Hamasit të nisë një sulm kundër veriut të Izraelit, bombat e të cilit nuk kanë munguar në këto ditë.