Katër ekipet e Suprligës në Shqipëri njohën kundërshtarët e tyre për sfidat evropiane këtë të martë. Partizani do të luajë në Champions League, ndërsa Kukësi, Teuta dhe Laçi në Europa League. Shorti nuk ka qenë shumë dashamirës me klubet tona, pasi përballë do të kenë rivalë të vështirë, megjithatë, jo të pamundur, thotë Armand Duka.
Kreu i FSHF-së ka uruar klubet shqiptare që do të luajnë në kompeticionet evropiane, duke u shprehur se nuk është e pamundur për të arritur objektiva të rëndësishëm. Sipas Dukës, duke u nisur dhe nga eksperienca e tij personale që arriti të zgjidhej anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, me strategji dhe objektiva seriozë e pamundura bëhet e mundur.
“Suksese Partizanit, Kukësit, Teutës dhe Laçit në përfaqësimin europian! Sot skuadrat shqiptare kanë njohur kundërshtarët e tyre në kompeticionet europiane, UEFA Champions League dhe UEFA Europa League. Dua ti uroj të katër skuadrave shumë suksese në këtë garim në sfidat europiane dhe dëshiroj që të shkojnë sa më larg”.
“Me strategji dhe objektiva seriozë për të arritur objektiva të rëndësishëm, si dhe me besim e punë mund të shkoni larg, duke e bërë të pamundurën të mundur dhe utopiken një realitet të prekshëm. Suksesi është gjithmonë i arritshëm”, shprehet kreu i FSHF-së.
Ky mesazh i presidentit të FSHF-së vjen në një moment kur klubet shqiptare kanë pasur rritje të nivelit sportiv. E njëkohësisht, vjen në një kohë kur vetë kreu i FSHF-së arriti për herë të parë të përfaqësojë Shqipërinë në nivele të larta të futbollit evropian, duke u zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.