Reja mohon Napolin: Rinovimi me Shqipërinë? S`kam nevojë për letra

Trajneri Edy Reja ishte të hënën në Tiranë, ku së bashku me trajnerët e kombëtareve të moshave, zhvilluan një takim me Presidentin e FSHF-s, Armand Duka. Reja ende nuk ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me FSHF për të drejtuar kombëtaren, pavarësisht se akordi është arritur në parim.

Megjithatë, mungesa e firmës në letër, bëri që në mediat italiane, Reja të lakohej si një emër i mundshëm për të zëvendësuar Ancelottin te Napoli. Por tekniku 74-vjeçar sqaroi për mediat të hënën se nuk ka pasur asnjë kontakt nga Napoli. Ai tha se shkon shpesh në atë qytet, pasi ka miqësi me shumë njerëz përfshirë dhe presidentin e klubit, por nuk ka pasur asnjë bisedë për të marrë drejtimin e klubit të Napolit.


“Në Napoli unë kthehem gjithmonë. Sepse më presin shumë gjëra të bukura, kam shumë miq, madje kam raporte të mira me presidentin, qyteti më pëlqen shumë”, tha Reja. Ndërkohë, takimi i të hënës me Presidentin Duka, kishte në fokus rinovimin e kontratës. Edy Reja pranoi se ishte folur në takim për rinovimin, ndërsa tha se “nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime”.

“Është e vërtetë që takimi i sotëm, ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime. Kemi folur praktikisht, sepse akordin është gjetur prej kohësh. Sot, jam së bashku me kolegët e mi të kombëtareve të moshave për të folur me Presidentin Duka dhe për të dëgjuar nëse ai është është i kënaqur nga ne apo jo. Kam darkuar me të dhe besoj se ai do bëjë gjërat e mira dhe konkrete”, tha Reja.


Duka “toleron” Braçen: Qemal Stafa “mbetet” në stadium

Qemal Stafa “mbetet” brenda në stadium. Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar emrin e ri të stadiumit kombëtar “Air Albania Stadium”, ndërsa nuk ka harruar të vendosë brenda saj emrat e personaliteteve të historisë dhe futbollit shqiptar. Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Qendrës Sportive Kuqezi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin pikërisht emrat e këtyre personaliteteve.

Përmes një njoftimi, FSHF tha se Tribuna qendrore do të emërtohet “Tribuna Qemal Stafa”, Tribuna Lindore(Ballore) do të emërtohet “Tribuna Panajot Pano”, Tribuna Veriore do të emërtohet “Tribuna Fatmir Frashëri” dhe Tribuna Jugore do të emërtohet “Tribuna Vasillaq Zëri”.


“Në këtë mënyrë jo vetëm respektohen këto personalitete të shquar, por edhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër” njofton FSHF.

Emri i ri të stadiumit “Air Albania” dhe largimi i emrit të vjetër “Qemal Stafa” solli një përplasje mes zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Duket se kjo ka sjellë edhe “tolerimin” nga ana e Dukës, i cili vendosi që personalitetet e shquara t’i mbante brenda stadiumit përmes Tribunave.

Pak ditë më parë, Braçe me një reagim të ashpër tha se Duka nuk ka si të njoh heroin Qemal Stafa, pasi ai ka “paranë” heroinën e kombit, dhe njeh vetëm kultin e parave. Vetë Duka nuk ka hezituar t’i japë përgjigje me ironi duke thënë se nëse do të paguante ai, stadiumi mund të mbante edhe emrin e tij.

“Nëse do flisja me mendimin e karriges, do flisja ndryshe. Komercializimi është gjëja më optimale e mundshme. Nuk dua të bëj replikë me asnjë. Në kushtet që jemi, ky stadium është ndërtuar me donacion nga UEFA. Është një model që e ndjek e gjithë Europa. Edhe unë mund ta doja që të ishte një emër sportisti, por jemi të detyruar se kemi nevojë për burime financiare. Nëse zëvendëskryeministri flet nga karrigia, mund të hedhë ato lekë dhe ne i vëmë emrin e tij”, është shprehur Duka.

FSHF bëri të ditur se u pranua oferta e kompanisë ajrore Air Albania Shpk për të mirëmbajtur dhe sponsorizuar stadiumin më modern në vend.

“Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve Qendra Sportive Kuq e Zi dhe Air Albania, sipas të cilës kompania ajrore Air Albania do të ketë të drejtën e vënies së emrit ‘Air Albania Stadium’. Pra që nga sot e deri në përfundim të kontratës 5-vjecare stadiumi do të quhet Air Albania Stadium” thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Inaugurimi i “Air Albania Stadium” do të bëhet të dielën më 17 nëntor në ndeshjen Shqipëri-Francë, pjesë e kualifikuese për Euro 2020. 


FSHF blen “Wyscout” për klubet shqiptare

Federata Shqiptare e Futbollit hodhi një tjetër hap të rëndësishëm të martën, duke krijuar Departamentin e Analizës, Skautimit dhe Inovacionit, duke blerë dhe platformën e statistikave të lojtarëve Wyscout. Struktura e re e krijuar nga FSHF do të ndihmojë klubet e futbollit në vend të përdorin të dhëna statistikore në çdo detaj për ndeshjet që kanë luajtur apo do të luajnë. Struktura e re e krijuar nga FSHF u prezantua të martën nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se klubet do të asistohen mbi analizën e ndeshjes, performancën sportive apo hapjen ndaj inovacionit teknologjik.

“Ideja e këtij departamenti lindi nga nevoja për të zhvilluar dhe asistuar klubet në Shqipëri, me tendencat më të fundit mbi analizën e ndeshjeve, perfomancave sportive, si dhe hapjen ndaj inovacionit teknologjik për të përmirësuar stërvitshmërinë në nivel klubesh dhe tek skuadrat kombëtare. Këto janë pjesë të rëndësishme të objektivave që ne i vendosëm vetes në Asamblenë e fundit katër vjeçare dhe Vizionit 2030. Ky Departament do t ndihmojë shumë në rritjen e futbollit shqiptar në shumë drejtime, duke e afruar atë me futbollin e madh europian dhe botëror”, u shpreh Shulku në fjalën e tij.


FSHF bleu platformën Wyscout, e cila ofron të dhëna statistikore për lojtarët në të gjitha kategoritë. Federata u dha klubeve të Kategorisë Superiore dhe disa klubeve të Kategorisë së Parë, nga dy llogari në platformën Wyscout, platforma më e madhe në botë për të dhëna ndeshjes dhe lojtarësh e cila asiston klubet e Juventusit, Bajern Mynih, Manchester United dhe shumë kombëtare të mëdha.

Kjo platformë i jep mundësi klubeve të sigurojnë të dhëna statistikore mbi ndeshjet që ato kanë zhvilluar, ndeshjet e rradhës që do të duhet të përgatisin, të monitorojnë dhe marrin informacion për lojtarë në 124 shtete të botës dhe 400 kampionate. Në të njëjtën kohë FSHF do ti ofrojë falas, ashtu si aksesi në Wyscout, kurse për video-analistë klubeve të Kategorisë Superiore dhe klubeve të interesuara nga Kategoria e Parë.


Reja, me kontratë të re para Andorrës e Francës?

“Tani duhet të ulemi për të folur me trajnerin Reja për projektin e së ardhmes”, tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së Armand Duka pas fitores 4-0 të kombëtares ndaj Moldavisë. “Unë dëshiroj të vazhdoj punën këtu. Skuadra më jep sinjale pozitive për të vazhduar”, tha trajneri Edy Reja, para së njëjtës ndeshje. Deklaratat e dhëna në publik, tashmë janë futur në rrugën e bisedimeve zyrtare.

Një burim i Realstory.al pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, konfirmoi se trajneri i kuqezinjve, Edy Reja do të vijë në Shqipëri në datën 7 nëntor, që përkon dhe me nisjen e përgatitjeve të dy ndeshjeve të fundit të kombëtares, atë ndaj Andorrës në 14 dhe Francës në 17 nëntor.


Megjithatë, para këtyre dy ndeshjeve, pritet që kreu i FSHF-së Armand Duka dhe trajneri italian Edoardo Reja, të ulen e të diskutojnë projektin e ri Kuq e Zi. Palët pritet të diskutojnë rreth detajeve të kontratës për termat financiar, dhe kohëzgjatjen e saj. Trajneri Edy Reja është shprehur më herët se në jetën e tij kurrë nuk firmos kontratë më të gjatë se një sezon, ndaj mbetet për tu parë se si do të jetë ky bashkëpunim.

Ndërkohë, nga deklaratat publike të Presidentit të FSHF-së, pritet që bashkëpunimi me trajnerin Reja të përfshijë kualifikueset e Botërorit të vitit 2022, si dhe Nations League. Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Reja ndryshoi rrenjësisht ekipin tonë kombëtar. Reja debutoi në krye të stolit të kombëtares në qershor të këtij viti, në takimin ndaj Islandës ku kuqezinjtë u mundën me rezultatin 1-0 në transfertë.

Më pas fitoi në Elbasan ndaj Moldavisë me rezultatin 2-0, ndërsa në shtator u mundëm nga Franca 4-1 dhe fituam ndaj Islandës 4-2. Në dy ndeshjet e fundit, kuqezinjtë treguan një përmirësim të dukshëm në lojë, pasi pavarësisht se u mundëm 1-0 për një gabim të portierit, skuadra bëri një ndeshje të mirë. Ndërsa në ndeshjen ndaj Moldavisë, Shqipëria shënoi katër gola duke fituar bindshëm, e njëkohësisht, duke treguar se grupi i krijuar është premtues për të ardhmen.


Tërhiqen turqit, Stambolli flet shqip

Federata Turke e Futbollit është tërhequr nga vendimi për të mos lejuar më shumë se 1000 tifozë shqiptarë në stadium, në takimin Turqi-Shqipëri që do të luhet të premten në orën 20:45 në Stamboll.

Me anë të një njoftimi për mediat, FSHF shprehet se “rifilloi shitja e biletave për ndeshjen Turqi-Shqipëri”, ndërsa u bën thirrje tifozëve kuqezi që dëshirojnë të sigurojnë një biletë për ndeshjen e të premtes, të shkruajnë në adresën elektronike të [email protected] ose të telefonojnë në këtë numër telefoni: +355698296604.


Pasditen e të premtes, Federata Turke e Futbollit doli me një vendim të papritur, duke ulur numrin e biletave për tifozët shqiptarë, nga 2500 që ishte parashikuar në 1000 tifozë. Për këtë vendim, Federata Shqiptare e Futbollit u ankua te delegati i ndeshjes dhe UEFA, duke kërkuar që të tërhiqej ky vendim.

Ndërkohë, FSHF konfirmon se të 2500 biletat që parashikon rregullorja e UEFA-s për tifozët shqiptarë, do të jenë në dispozicion të të interesuarëve. Gjithashtu, Federata Turke është tërhequr edhe nga vendimi për të mos lejuar hyrjen e tifozëve shqiptarë me simbole kombëtare në stadium.


Licensimi, FSHF trajnon presidentët e klubeve

Federata Shqiptare e Futbollit u ka ardhur në ndihmë klubeve të futbollit në vend. Nisur nga konfuzioni i krijuar në verë, ku disa klube rrezikonin të mos liçensoheshin për të luajtur në Superligë, FSHF nisi një seri trajnimesh me presidentët dhe juristët e klubeve, për ti informuar rreth procedurave të licensimit, sipas kërkesave të UEFA-s.

Të enjten në zyrat e federatës presidentët e 10 klubeve të Superligës dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, diskutuan rreth hapave që klubet do të ndjekin, për të përmbushur kriteret e licensimit. Pas mbledhjes, Presidenti i Tiranës Refik Halili, u shpreh se mbledhja ishte pozitive, ndërsa u shpreh se për të ardhmen duhet bërë gjëja më e mirë për licensimin.


“Mbledhja ishte e vlefshme se asistenca ligjore a financiare që të ketë mbështetje nga specialistët, si nga klubet e federata, është shumë e mirë. Shpresojmë të dëgjojmë çfarë të metash kemi, specialistët të flasin dhe të bëjmë për të ardhmen gjënë më të mirë për çështjen e licensimit”, tha Halili. Ndërkohë, FSHF ka miratuar një kalendar me trajnime me juristët dhe presidentët e klubeve deri në fundin e vitit 2019, të cilët do të informohen për çdo gjë në lidhje me klubet për sezonin e ri 2020-2021. Me nisjen e vitit 2020, në janar, do të ngrihet grupi i punës për licensimin.

Klubet, gjatë kësaj periudhe do të paraqesin draftet e dokumentacionit paraprak për licensim, deri në datën 28 shkurt kur do të jetë dhe afati përfundimtar për dorëzimin e gjithë dokumentacionit nga ana e klubeve. Në datën 31 mars të vitit të ardhshëm, klubet do të dorëzojnë dokumentet për kiriterin financiar, ndërsa një muaj më pas, FSHF do të njoftojë klubet për rezultatet e liçensimit.

Në këtë mënyrë, do të shmanget kaosi me licensat për ekipet që do të garojnë në Superlgië, por edhe ato që do të garojnë në kupat e europës. UEFA ka vendosur kriterere strikte për klubet, më i rëndësishmi mbetet kriteri financiar. Në këtë pikë, disa nga klubet shiptare kanë pasur probleme, me borxhe të mbartura ndër vite.


Borxhet rrezikojnë “kokën” e disa ekipeve

Në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, anëtarët e këtij komiteti kanë vënë “dorën në zemër”, duke u krijuar një hapësirë kohore të mjaftueshme, që klubet të përmbushin kriteret financiare, në mënyrë që të marrin liçensën për të garuar në Superligë sezonin e ri.

Në fakt, Kriteri Financiar është një nga rregullat kryesor, që klubet duhet të përmbushin për të garuar në kampionat. Këto kritere përfshijnë detyrimet ndaj lojtarëve, trajnerëve, federatës, autoriteteve lokale dhe qendrore, që kanë lidhje me përdorimin e infrastukturës, etj. Disa prej klubeve të Superligës “ngelin” te kriteri financiar, pasi kanë detyrime të vjetra dhe të mbartuara financiare, duke nisur nga mosshlyerja e pagave të lojtarëve apo borxhe të ndryshme.


Pavarësisht afatit që FSHF-ja ka lënë për përmbushjen e këtyre kritereve, vështirë se disa prej klubeve të Superligës do të arrijnë që të zgjidhin gjithçka në kohë. Megjithatë, FSHF ka bërë një paralajmërim të fortë për këto klube që nuk do të përmbushin kriteret financiare.

“Në rast se edhe pas këtij afati, kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do ti paraqiten Komisionit të Licensimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se klubi juaj mund të rrezikojë mosmarrjen e licensës e për rrjedhojë edhe mospjesmarrjen në kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020”, shkruan FSHF në njoftimin shpërndarë mediave.

Ende nuk dihet se cilët janë me saktësi klubet që kanë probleme financiare, megjithëse gjatë sezonit që lam pas, Tirana, Luftëtari, Flamurtari kanë pasur probleme me vonesat e pagave të lojtarëve.  Gjithsesi, do duhet të pritet fillimi i muajit gusht, për të parë nëse 10 klubet aktuale të Superligës do të kalojnë “klasën” në “matematikë” apo do të ngelen, duke rrezikuar kështu edhe përjashtimin nga sezoni.


Ndryshon kampionati, rritet konkurrenca në Superligë

Për herë të parë struktura e Superligës shqiptare të futbollit, ka pësuar një ndryshim për skuadrat që zbresin dhe ngjiten në këtë kategori. Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, është vendosur që sezonin e ardhshëm, deri në sezonin 2022-2023, ekipet që do të luftojnë për mbijetesën në elitën e futbollit tonë, do të jenë tre. Ndryshe nga deri tani, kur luftonin për të mbijetuar në Superligë dy skuadar, apo thënë më qartë, në fund të sezonit zbrisnin dy skuadrat që renditeshin praktikisht në vendin e fundit dhe të parafundit të kampionatit, sezonin e ri, do të jetë në luftë për mbijetesë edhe skuadra që renditet në vendin e tetë të kampionatit.

“Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-offit të Kategorisë së Parë. Play-offi i Kategorisë së Parë është produkt i vëndeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së, ndërkohë që këtë sezon, Superliga do të nis zyrtarisht më 24 gusht dhe do të mbyllet më 23 maj.


Edhe Kategoria e Parë do të pësojë disa ndryshime. Sezonin e ardhshëm nuk do të ketë më pëgjysmim pikësh në fazën e tretë të kampionatit, ndërsa shtohet një ndeshje play-off, midis dy ekipeve që renditen në vend të dytë në dy grupet përkatëse të kësaj kategorie, me fituesin që  do të luajë ndeshjen e play-out me vendin e tetë të Superligës. Kategoria e Parë do të fillojë më datë 14 Shtator dhe do të përfundojë në datë 16 Maj. E njëjta skemë do të përdoret edhe për skuadrat që do të luftojnë për mbijetesë, me dy ekipet që renditen te fundit do të zbresin direkt në Kategorinë e Dytë, ndërsa vendet e teta në grupet përkatëse, do të luajnë ndeshje play-out me vendet e dyta në dy grupet e Kategorisë së Dytë. Deri në vitin 2023, Kategoria e Parë do të jetë me 14 ekipe, nga 20 që është aktualisht. Disa ndryshime, lidhur me numrin e ekipeve pjesëmarrëse, ka pësuar edhe Kategoria e Dytë, ndërkohë që si datë fillimi të kampionatit për këtë sezon, është përcaktuar data 21 shtator.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi krijimin e Kampionatit Kombëtar U-15, në të cilin do të marrin pjesë 20 skuadra të cilat do të jenë të ndara në dy grupe nga 10 skuadra. Ky kampionat do të zhvillojë ndeshjet në tre faza me systemin vajtje-ardhje. Në këtë mbledhje të rradhës së KE nuk u miratua propozimi nga Liga për rritjen e numrit të të hujave nga 4 në 5. Komitetit Ekzekutiv miratoi kërkesën e klubeve dhe shoqatave sportive për zerimin e tarifave për zyrtaret e ndeshjeve në të gjitha kampionatet Rajonale dhe Kombëtare. FSHF merr përsipër mbulimin e shpenzimeve për arbitrat dhe delegatët, shpenzime të cilat deri më tani paguheshin nga klubet dhe shoqatat që merrnin pjesë në këto kampionate. Superkupa e Shqipërisë do të zhvillohet më datë 18 Gusht 2019.


Duka-klubeve: Me objektiva seriozë shkoni larg në Europë (si ai në KE-në e UEFA-s)

Katër ekipet e Suprligës në Shqipëri njohën kundërshtarët e tyre për sfidat evropiane këtë të martë. Partizani do të luajë në Champions League, ndërsa Kukësi, Teuta dhe Laçi në Europa League. Shorti nuk ka qenë shumë dashamirës me klubet tona, pasi përballë do të kenë rivalë të vështirë, megjithatë, jo të pamundur, thotë Armand Duka.

Kreu i FSHF-së ka uruar klubet shqiptare që do të luajnë në kompeticionet evropiane, duke u shprehur se nuk është e pamundur për të arritur objektiva të rëndësishëm. Sipas Dukës, duke u nisur dhe nga eksperienca e tij personale që arriti të zgjidhej anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, me strategji  dhe objektiva seriozë e pamundura bëhet e mundur.


Suksese Partizanit, Kukësit, Teutës dhe Laçit në përfaqësimin europian! Sot skuadrat shqiptare kanë njohur kundërshtarët e tyre në kompeticionet europiane, UEFA Champions League dhe UEFA Europa League. Dua ti uroj të katër skuadrave shumë suksese në këtë garim në sfidat europiane dhe dëshiroj që të shkojnë sa më larg”.

Me strategji dhe objektiva seriozë për të arritur objektiva të rëndësishëm, si dhe me besim e punë mund të shkoni larg, duke e bërë të pamundurën të mundur dhe utopiken një realitet të prekshëm. Suksesi është gjithmonë i arritshëm”, shprehet kreu i FSHF-së.

Ky mesazh i presidentit të FSHF-së vjen në një moment kur klubet shqiptare kanë pasur rritje të nivelit sportiv. E njëkohësisht, vjen në një kohë kur vetë kreu i FSHF-së arriti për herë të parë të përfaqësojë Shqipërinë në nivele të larta të futbollit evropian, duke u zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.


Grezda largohet nga kombëtarja, FSHF: Arsye personale! E vërteta sipas nesh

Një ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit, lajmëroi se tre lojtarë nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Edy Reja për dy ndeshjet zyrtare ndaj Moladavisë dhe Islandës.

Ledian Memushaj, Egzon Binaku dhe Marash Kumbulla ishin tre emrat, me dy të parët për arsye dëmtimi dhe i treti pasi grumbullohet me U-21, që nuk do të luanin me ekipin përfaqësues.


Megjithatë, këtë të shtunë, trajneri Edy Reja ka mësuar se nuk do të ketë në dispozicion edhe një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për sulmuesin anësor, Eros Grezda. Ky i fundit sipas një njoftimi të FSHF-së largohet nga grumbullimi për arsye personale.

FSHF

Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e rradhës për arsye personale. Lexo të plotë

“Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45. Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e rradhës për arsye personale”.

“Trajneri Reja ka thërritur në skuadër Lorenc Trashin, nga Partizani, që do të bashkohet me grupin në ndeshjen e sotme në “Elbasan Arena”, ku kuqezinjtë do të luajnë përballë U-21 të drejtuar nga Alban Bushi”, shkruhej në njoftimin e FSHF.

Edhe media të ndryshme, kryesisht ato sportive e kanë publikuar lajmin e dhënë nga FSHF, se lojtari është larguar nga kombëtarja për arsye personale, duke theksuar ai nuk ka pasur dëmtim.

TELESPORT

E çuditshme: Futbollisti braktis kombëtaren për arsye personale, Trashi e zëvendëson Lexo të plotë

Sipa nesh!

Megjithatë, RealStory.al ka mësuar se në fakt Eros Grezda është larguar nga grumbullimi pasi ka pasur probleme me muskujt e kofshës (auktorin), çka e ka detyruar sulmuesin të largohet nga ekipi ynë kombëtar.

Sulmuesi kuqezi, që aktivizohet me Rangers në Skoci, nuk ka pasur një sezon të mirë, teksa i është dashur të përballet me disa dëmtime, të cilat e kanë mbajtur jashtë fushës për shumë kohë.

Së fundi ai ishte rikuperuar dhe ndihej gati për të luajtur, por duket se ka ardhur dëmtimi i radhës, që tashmë e penalizon edhe për aktivizimin në ekipin kombëtar.


Skip to toolbar