“Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj”. Kështu e ka nisur fjalën e tij në Samitin III të disaporës, Presidentit Bajram Begaj, i cili është zotuar që do të angazhohet për shpërndarjen e librave falas në gjuhën shqipe, për komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Begaj u shpreh se diaspora është promotorja e identitetit shqiptar, ndaj duhet parë jo si “pjesë e shkëputur por si zgjatim i natyrshëm i identitetit tonë”.
“Shqipëria është një vend gjeografikisht i vogël por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Diaspora është promotorja më eficente e kulturës dhe identiteti tonë. Secili prej jush sipas mund2ësive ka dhënë një kontribut për kombin. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Angazhimi juaj është një vlerë e madhe e shquar për shoqërinë tonë. Ju ftoj të kontribuoni aktivisht me ide, sugjerime, projekte e sipërmarrje, për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe të ardhmes. Unë do të vazhdoj të mbështes punën e nisur nga institucionet shqiptare për shpërndarjen e librave shqip në komunitetet shqiptare në diasporë. Fëmijët duhet të mësojnë shqip kudo që janë”, tha Begaj.
Në vijim, Kreu i Shtetit u ndal te dy çështje sensitive që kanë të bëjnë me përfaqësimin e Diasporës në jetën politike dhe dëgjimin e zërit të tyre në shoqërinë shqiptare, çka sipas tij mund të realizohet vetëm nëpërmjet votës.
Begaj theksoi se kjo mund të arrihet përmes strukturimit të marrëdhënies së shtetit shqiptar me diasporën, duke krijuar mekanizma institucionalë dhe ligjorë, për të bërë që Shqipëria të arrijë potencialin e saj të plotë.
“Në këtë kuptim ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri. Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japë zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg.”