Pronari i shtëpisë e cila ishte kthyer në bazë furnizimi me mjete për grupet kriminale me qëllim kryerjen e krimeve, ka pranuar posedimin nga ana e tij të sendeve të gjetura brenda banesës në fshatin Gurez të Njësisë Administrative Fushe-Kuqe në Kurbin. Në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, 40-vjeçari Aleks Lulashi është shprehur se prej shumë vitesh blinte dhe shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale.
Ndërkohë banesa e vjetër shërbente si magazinë, pasi 40-vjeçari bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes jetonin në një shtëpi pak metra më larg të ndërtuar gjatë viteve të fundit. Deri në këtë fazë hetimesh policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës nuk ka arritur ende të identifikojë personat për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Aparati celular i Aleks Lulashi i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale do të ekzaminohet për të parë komunikimet që mund ketë patur 40-vjeçari, çka mund të ndihmojë në zbulimin e personave që ai bashkëpunonte. Kjo shtëpi bazë furnizimi me mjete për grupet kriminale me qëllim kryerjen e krimeve u zbuluar nga policia mëngjesin e martës në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi në territorin e Qarkut të Lezhës.
Gjatë kontrollit u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit, 5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur, 4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë, 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim, Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.
Ndërkohë 40-vjeçari Aleks Lulashi po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Lezhë në pritje për tu njohur me masën e sigurisë në gjykatë, ku do të përballet me disa akuza si: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.