“Do të çelim një fazë të re të IKMT”/ Balla: Duhet të garantojë parandalimin e çdo forme ndërtimi pa leje

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, së bashku me drejtuesin e ri të IKMT-së Ervin Hoxha inspektuan nga afër punimet për prishjen e disa objekteve pa leje, që i hapin rrugë vijimit të Unazës së Madhe të Tiranës, në zonë e mbikalimit të Shkozës.

Ministri deklaroi se IKMT duhet të garantojë parandalimin e çdo forme ndërtimi pa leje dhe mbi të gjitha ndëshkimin penal të kundërvajtësve.

“Do të çelim një fazë të re të IKMT. Sot jemi për të parë vijimin e një vepre, të Unazës së Madhe, e cila është aorta e qytetit, e që bën një ndryshim të trafikut në qytet. Qasja e re, me mbështetjen e Policisë së Shtetit ka të bëjë me parandalimin. Edhe mua më vjen keq kur bëhet fjalë për objekte që prishen, por s’do ketë asnjë tolerancë për askënd dhe askund. Me shefin e Komisariatit, Petritin, para disa ditësh ndërhymë në një prej rezidencave, ku persona të caktuar kishin ndërtuar dhe zgjeruar, a thua janë të pangopur. Ne do të vijojmë të mos lejojmë asnjë lloj shprehje arrogance ndaj qytetarëve të tjerë dhe ndaj ligjit.

Për punonjësit e IKMT do të ketë përkujdesje, me një rritje rroge për ta, e për çdo lloj trajtimi me dinjitet të punës suaj. Por mos harroni se deri dje kishte më shumë kallëzime penale ndaj inspektorëve, sesa inspektorët kishin kallëzime ndaj atyre që ndërtojnë pa leje. Çdo ndërtim pa leje duhet kallëzuar, sepse është një kancer që vijon prej 30 e ca vitesh. Do të përdoren teknologjitë e reja, pamjet satelitore, dronët për të kontrolluar territorin jo vetëm më inspektorë”, u shpreh ministri.

“Sot fillojmë prishjen e 23 objekteve të para, janë dhe 7 të tjera, 120 në total për tu prishur në gjithë gjurmën e Unazës së Madhe përgjatë dhjetorit”, informoi Kryeinspektori Hoxha.

Balla tha se duhet mbrojtur mjedisi dhe Shqipëria mbajtur pastër.

“Çdo zonë duhet të ketë zonë përgjegjësie, e për çdo ndërtim pa leje të mbahet ai përgjegjës. Do të koordinojmë mes IKMT e PSH e agjencitë e tjera, për të ndërthurur informacioni,. Njerëzit duhet të mësohen të marrin leje. Ne kemi rol për të mbrojtur mjedisin, sepse IKMT nuk prish vetëm ndërtime, por të mbrojë mjedisin, bregdetin. Që prej datës 1 janar do të kontrollojmë se ku i derdhin ujërat e zeza hotelet etj., kjo së bashku me agjencitë e tjera, përgjatë bregdetit duke e ruajtur të pastër këtë fuqi ekonomike që po e transferomini Shqipërinë”, nënvizoi ministri.

Më tej ai kërkoi kontroll të kompanive të ndërtimit, për të mos hedhur vend e pa vend, mbetjet.



Skip to toolbar