Sulmi mbi KZAZ-të, shoqërohet dhe lihet e lirë ish-deputetja Dhurata Çupi

AKTUALITET


Ish-deputetja e PD-së për qarkun e Dibrës, Dhurata Çupi është shoqëruar në komisariatin e policisë bashkë me kryetaren e forumit rinor të kësaj partie, Denisa Llata pas sulmeve të militantëve mbi KZAZ-të në Klos dhe në Burrel. 

Policia ka ndërmarrë një aksion për shoqërimin e të gjithë personave, të cilët të mërkurën ndërmorën sulme të dhunshme ndaj KZAZ-ve. Sipas policisë, në çdo bashki po punohet njëkohësisht për shoqërimin e agresorëve dhe në bazë të hetimeve, në bashkëpunim edhe me prokurorinë do të merren masat e mëtejshme.

Në lidhje me shoqërimin e ish-deputetes, policia sqaron se nuk ka qenë ajo objekt shoqërimi, por kjo e fundit ndodhej në një makinë që policia dyshonte se ishin materialet zgjedhore të marra nga KZAZ, e për rrjedhojë do kontrollohej në komisariat. Ish-deputetja sipas tyre nuk ka pranuar të zbresë nga makina dhe ka përfunduar në komisariat. Pas disa minutave, ajo është lënë sërish e lirë.

PD reagoi pas shoqërimit të deputetes, duke deklaruar se “ndryshe nga sa thotë policia, ajo u shoqërua nga dy persona me maska në një furgon policie, bashkë me kryetaren e FRPD Burrel, Denisa Vata”. Bashkë me reagimin PD, ka publikuar edhe një foto të Denisa Vatës gjatë shoqërimit në polici.



Skip to toolbar