Presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, së fundmi mbajtën konferenca të gjata për shtyp, gjatë të cilave bënë një pasqyrë të vitit të kaluar dhe vendosën synimet e tyre për vitin 2024.
Por çfarë duhet të presim vitin e ardhshëm nga lufta gati dyvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas asaj që thanë liderët e dy vendeve?
Zelensky fajësoi për dështimin e kundërofensivës verore të Ukrainës mungesën e municioneve dhe epërsisë ajrore. Mungesat do të çojnë në një luftë rrënimi, me Rusinë që fiton sërish epërsi.
“Ne nuk kemi municion”, tha presidenti ukrainas, duke refuzuar të thotë më shumë për planet për vitin 2024 të ushtrisë ukrainase, e cila ka kaluar në pozicionin e mbrojtjes.
Nga ana e tij, Putin shprehu kënaqësinë që trupat ruse “po përmirësojnë pozicionet e tyre pothuajse kudo përgjatë vijës së kontaktit”. Megjithatë, ai pranoi se Ukraina po bën përparim në bregun jugor të lumit Dnieper, megjithëse shtoi se trupat ukrainase po “asgjësohen” nga artileria ruse, raporton abcnews.al.
Lodhja e Perëndimit
Putin, rizgjedhja e të cilit në presidencën e Rusisë në vitin 2024 duket e sigurt, foli për reduktimin e ndihmës perëndimore për Ukrainën, subjekt i mosmarrëveshjeve politike si në SHBA ashtu edhe në BE.
Sipas tij, kjo mbështetje po mbaron ngadalë. Zelensky tha se ishte i bindur se Perëndimi do të vazhdonte ndihmonte Ukrainën dhe sipas tij dhe se SHBA “nuk do ta tradhtojë” Ukrainën.
Megjithatë, ai tha se i frikësohet një ndryshimi të politikës nga Uashingtoni, në rast se Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.
“Nëse politika e presidentit të ardhshëm, kushdo qoftë ai, është e ndryshme ndaj Ukrainës, më e ftohtë apo më pak ekonomike, atëherë besoj se këto mesazhe do të kenë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e luftës”, theksoi presidenti ukrainas.
Mungesa e ushtarëve në Ukrainë
Ndërsa mungesa e burrave në vijën e parë bëhet gjithnjë e më e dukshme, presidenti ukrainas iu referua një plani të ushtrisë për të regjistruar “një 450,000 deri në 500,000 njerëz shtesë” në 2024, pa elaboruar më tej.
Në të njëjtën kohë, Kievi dëshiron të prodhojë “një milion drone vitin e ardhshëm” për të kompensuar mungesën e municioneve.
Putin vlerësoi se çdo mobilizim i ri, pas atij të shtatorit 2022, “nuk është i nevojshëm”. Sipas tij, Rusia arriti të angazhojë vullnetarisht 486,000 burra në vitin 2023, një përpjekje që pritet të vazhdojë.
Presidenti rus u zotua gjithashtu se do të vazhdojë të forcojë aftësitë e ushtrisë pasi Rusia po zhvendos ekonominë e saj drejt përpjekjeve të luftës dhe thuhet se ka marrë sasi të mëdha municionesh nga Koreja e Veriut, raporton abcnews.al.
Nuk ka negociata
Putin theksoi se paqja do të arrihet kur të përmbushen të gjitha qëllimet e Moskës, përkatësisht “denazifikimi i Ukrainës dhe çmilitarizimi i saj”, por edhe miratimi nga Kievi i një “regjimi neutral”.
Siç tha ai, Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për këto çështje gjatë negociatave të tyre të para në Stamboll në fillim të luftës, bisedime të cilat më vonë nuk u zbatuan.
“Ka mundësi të tjera, ose për të arritur një marrëveshje ose për ta zgjidhur problemin me dhunë. Dhe këtë po mundohemi ta bëjmë”, nënvizoi ai.
Zelensky përsëriti se qëllimi i tij është të rimarrë kontrollin e të gjitha territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në 2014.
“Strategjia nuk mund të ndryshohet,” paralajmëroi ai.
Ai gjithashtu hodhi poshtë mundësinë e negociatave me Rusinë.
“Sot nuk është detyrë. Unë nuk shoh një kërkesë në këtë drejtim nga Rusia. Nuk e shoh nga veprimet e saj. Në retorikën e saj shoh vetëm guxim”, theksoi ai.
Cili do të jetë fundi i luftës në Ukrainë?
Putin u premtoi rusëve se “fitorja do të jetë e jona”. Populli rus nga ana tjetër mbështet përpjekjet e luftës dhe ekonomia po gjallërohet. Nga ana tjetër, Zelensky u kërkoi ukrainasve që të mos e humbasin “vendosmërinë”, raporton abcnews.al.
Ai gjithashtu theksoi se nuk e di nëse lufta do të përfundojë në vitin 2024. /abcnews.al