“Ishte si në ferr”, si dolën të gjallë 367 pasagjerët e “Japan Airlines”

BOTA


Momente paniku dhe frike kanë përjetuar 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit të avionit të kompanisë “Japan Airlines”, që u përplas me një avion të rojes bregdetare dhe shpërtheu në flakë pak pas uljes në aeroportin Haneda të Tokios.

Mes pasagjerëve që ndodheshin në bord, përfshirë edhe 8 fëmijë ka pasur agoni për fatin e tyre, teksa në media janë publikuar pamje nga bordi i avionit kur motorët shpërthejnë në flakë dhe nga momenti i evakuimit të pasagjerëve, që u krye në kohë rekord.


Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror NHK tregojnë se avioni është përfshirë nga flakët teksa është ulur në pistën e aeroportit, me pasagjerët që nxirren nga ai duke përdorur daljet e emergjencës dhe slitën e fryrë me ajër.

Në vendngjarje shihen edhe zjarrfikësit duke tentuar të shuajnë zjarrin, ndërsa duhet thënë se avioni u shkrumbua plotësisht.

Një zëdhënës i Japan Airlines sqaroi për mediat se avioni ishte ngritur nga aeroporti Shin-Chitose i Hokkaido në Japoninë veriore dhe zjarri shpërtheu kur u ul në aeroportin Haneda të martën pasdite.

Në konferencën për media Shërbimi Zjarrfikës i Tokios raportoi se 17 persona, pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, kanë mbetur të lënduar. Sakaq një nga pasagjerët e avionit tha për mediat: “Në ulje dëgjova një bum, sikur goditëm diçka” – duke shtuar se kabina u mbush menjëherë me tym.

Suedezi Anton Deibe, 17 vjeç, një pasagjer rrëfeu: “E gjithë kabina u mbush me tym brenda pak minutash. Tymi në kabinë ishte si në ferr. U hodhëm përtokë, pastaj u hapën dyert e emergjencës dhe u hodhëm në to. Ne nuk e kishim idenë se ku po shkonim, kështu që dolëm me vrap në fushë. Ishte kaos.”

Ajo që shqetëson autoritetet tani është të konstatojnë shkaqet që çuan drejt aksidentit, në mënyrë që të vijojnë me ndarjen përkatëse të përgjegjësive.

Në një konferencë për shtyp të dhënë pak orë pas aksidentit nga  Shërbimi i Aviacionit Civil, Roja Bregdetare Japoneze (e cila zotëronte avionin tjetër të përfshirë në incident) dhe Japan Airlines, ata prezantuan të dhënat e disponueshme, pa konkluduar saktësisht mbi kushtet në të cilat ka ndodhur përplasja.

Sipas përfaqësuesit të shërbimit të aviacionit civil, ende nuk është e mundur të përcaktohet se si ka rënë zjarri në avion, ndërkohë që po shqyrtohen komunikimet me kullën e kontrollit të aeroportit.



Skip to toolbar