Nga Skënder Minxhozi/
Në mëngjesin e datës 22 janar, kur e gjithë Shqipëria e kishte mësuar tashmë tragjedinë që ishte konsumuar në dyert e godinës së qeverisë në Tiranë, shqiptarët e kthyen instiktivisht kokën drejt organeve të zbardhjes e hetimit të ngjarjes, drejt fletë-arresteve e padive të para ndaj autorëve të vrajses së katër protestuesve të paarmatosur. Prej plot 13 vjetësh secili prej nesh vijon të presë që nga ajo derë, pra nga drejtësia shqiptare, të dalë një verdikt që të vendosë në vend (për aq sa mundet, pasi jetët nuk kthehen më), atë dëshirë mbarëpopullore për dënimin e nxitësve, autorëve dhe përgjegjësve të tjerë të ngjarjes makabër të 21 janarit kur shteti u çmend dhe vrau qytetarët e tij.
Fakti që nga ajo ngjarje ka kaluar më shumë se një dekadë, pa hetuar e dënuar drejt dhe ashpër të gjithë përgjegjësit e asaj dite, tregon se drejtësia, e vjetra dhe e reja, nuk po bëjnë detyrën e tyre. Edhe SPAK, ky institucion që sot mishëron shpresën e në mase të madhe shqiptarësh për drejtësi, shpalli moskompetencë për provat e reja që familja e Aleks Nikës i vuri në dispozicion dhe ja kaloi ato Prokurorisë së Tiranës. Si mund të ketë moskompetencë për në krim shtetëror, për një vrasje kolektive ku vetë qeveria zhduk serverat dhe provat e tjera të krimit?!
Nëse zhgënjimi ndaj drejtësisë së para vitit 2016 qe pjesë “fiziologjike” e tranzicionit shqiptar, sjellja e drejtësisë së re me 21 janarin shënon një mungesë shqetësuese kurajoje profesionale dhe integriteti të prokurorëve që e përbëjnë. Drejtësia është fajtorja e parë e madhe e 21 janarit.
E dyta fajtore për 21 janarin është qeveria dhe partia që qëndron pas saj, megjithë shefin politik Edi Rama. Kryeministri Rama ka më shumë se dekadë që hap çdo ditë derën e një zyre prej qëndronte në datë 21 janari Sali Berisha, personi që kur pa sesi ushtarët e tij vrisnin, doli dhe i hodhi një çarçaf turpi njollave të gjakut në bulevard duke folur për grusht shteti dhe për çadra-pistoletë! Edi Rama nuk duhet të kishte lejuar, që nga koha e ardhjes në pushtet të PS në vitin 2013, që qeveritë e tij të kishin qëndruar aq pasive ndaj krimit të 21 janarit. Prej vitesh Rama ndjen pas shpine sesi ironizojnë kundërshtarët politikë e një pjesë e opinionit publik me tufat me lule që ai vendos me familjarët e viktimave në do 21 janar. Ndërsa të parët ja vlen të shpërfillen, të dytët, ata që kanë pritur të shohin verdikte të qarta për 21 janarin, duhen mbajtur shumë mirë parasysh sepse në shumicën e rasteve janë shqiptarë që kanë votuar majtas, ndër të tjera, edhe në emër të kërkimit të drejtësisë për 21 janarin. Me qëndrimin pasiv dhe shtyrjen kësisoj në kalenda të gjetjes së drejtësisë për ngjarjen, PS dhe shteti i saj janë përgjegjësit e dytë për 21 janarin.
Dhe në fund shkaktarët e drejtpërdrejtë të krimit, qeveria e Partisë Demokratike. Politikisht, por nëse do të kishte hetim të drejtë, edhe penalisht. Sali Berisha, Lulzim Basha, Garda, Policia dhe të tjerët pas tyre kanë qenë të gjithë nëpër dritaret, taracat dhe bodrumet e shtetit atë ditë. Që të gjithë të armatosur me armë apo me pushtetin për t’i ndalur, ose për t’i lejuar ato armë që të vrasin njerëz. Ndodhi e dyta. Shteti vrau njerëz në dyert e tij sepse ata që duhet të mbronin jetët e qytetarëve shpejtuan t’i quajnë ata kokëpalarë dhe terroristë!
Në atë vend të bulevardit që i takon perimetrit të godinës së Këshillit të Ministrave janë zhvilluar në tre dekada pluralizëm dhjetra, në mos qindra protesta të të gjitha përmasave. Vetëm në njërën prej tyre janë vrarë njerëz. Në datën 21 janar 2011. Kurrë para ose pas kësaj date shteti nuk e ka futur në përdorim aparatin e tij të dhunës ndaj njerëzve që kontestonin qeverinë apo që kishin dalë aty për çfarëdo arsyeje tjetër. Dhe kjo datë fatale ka lidhje me një qeveri e cila fshiu gjurmët e krimit me gjakftohtësi dhe paramendim, për të hequr nga vetja atë që kishte bërë. Fshiu kamerat tamam siç bën një fajtor i kapur me presh në duar. Kjo qeveri krijoi edhe komisione hetimore paralele me drejtësinë, pikërisht për ta dekurajuar këtë të fundit që të hetonte dhe padiste përgjegjësit. Dhe sot, edhe kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka hedhur dyshime serioze mbi objektivitetin dhe cilësinë e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, ky i fundit dhe Hekuran Deda mbeten ende të vrarë nga të panjohur. Pra gjysmat e të vrarëve të 21 janarit nuk kanë një autor edhe pas 13 vjetësh. E gjitha buron jo vetëm nga squllja e drejtësisë përballë shtetit kërcënues të Sali Berishës, por edhe nga ndërhyrja brutale dhe vulgare e vetë shtetit në rrjedhën e identifikimit të përgjegjësive për krimin e 21 janarit.
Ai i riu që sot akuzonte Edi Ramën “vetë i çuat atje dhe vetë i vratë”, është vetëm korrieri i fundit i tezës më hipokrite dhe më mashtruese të 21 janarit, që e sheh përgjëgjësine e vrasjeve eksluzivisht mbi shpinën e opozitës së kohës, e jo tek ata që tërhoqën këmbëzën e armës. Me këtë kriter, do t’i binte fjala vjen që në protestat e mëdha të braktisjes së mandateve në 2019 para Kryeministrisë, Rama të mos nxirrte police gra para turmave, por të rreshtonte policët specialë të armatossur deri në dhëmbë, duke hapur zjarr mbi protestë e duke vrarë dhjetra njerëz. Punë e madhe, faji opozitës do t’i mbetej!!!
Krimi shtetëror i 21 janarit është një njollë gjaku e palarë mbi fytyrën e Partisë Demokratike. Bashkë me Gërdecin, ai shënon rrëshqitjen e asaj qeverisjeje në vrasje civilësh të pafajshëm. Përpjekjet e mëvonshme për të mbuluar përgjegjësitë që e lidhin me këto ngjarje, janë gjurmët e gishtave të shtetit të asaj kohe, ende të pafshira mbi armët e krimit.