Rusia në gjueti të “armiqve”, vritet një tjetër kundërshtar i Putin

BOTA


Rusia duket se është vënë në ndjekje të atyre që i konsideron armiq. Një grua 33-vjeçare me shtetësi të dyfishtë, ruso-amerikane, që banon në Los Angeles, është arrestuar në Ekaterinburg. Kundër saj rëndon akuza e tradhtisë së lartë.

Gruaja akuzohet se ka mbledhur fonde për forcat e armatosura të Ukrainës. Këtë e raporton shërbimi sekret rus, FSB, që citohet nga mediat vendase. Sipas autoriteteve të Moskës, “nga shkurti i vitit 2022, gruaja në fjalë ka mbledhur fonde në mënyrë proaktive në interes të një prej organizatave ukrainase, të cilat më pas u përdorën për të blerë sende mjekësore taktike, pajisje, armë dhe municione për Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

Për më tepër, në Shtetet e Bashkuara ajo ka marrë pjesë vazhdimisht në demonstrata publike në mbështetje të Kievit, lexohet në çështjen e ngritur nga autoritetet ruse. Ndërkohë, shërbime sekrete ruse duket se janë operativ në Europë.

“Maksim Kuzminov ka vdekur, kjo është gjithçka që mund të them”, konfirmon Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase. Piloti rus që dezertoi ushtrinë e Putinit u vra me një breshëri të shtënash në një parkim automjetesh në provincën spanjolle të Alicante.

Kuzminov, një pilot rus, ishte protagonist i një operacioni spektakolar dezertimi në bordin e helikopterit luftarak Mi-8 më 9 gusht të një viti më parë: pasi u ngrit nga Kursk, ai u ul në rajonin e Kharkiv pas një fluturimi të ulët prej qindra kilometrash, përpara se të dorëzohej tek ukrainasit. Në atë kohë, kishte dhënë informacione tepër sekrete të pozicioneve të ushtrisë ruse dhe për strategjinë e luftës.



Skip to toolbar