Nga pritja te konferenca Rama-Zelensky/ Detaje nga Samiti për Ukrainën, që mbahet të mërkurën

AKTUALITET


TIRANË- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë mbrëmjen e së martës në Shqipëri, në kuadër të samitit, i cili mbahet të mërkurën për Ukrainën.

Në Aeroportin e Rinasit, Zelensky do të pritet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, ka zbardhur detaje nga agjenda e takimeve në këtë samit.

Sakaq, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të pritet të mërkurën në orën 09:00 nga kryeministri Edi Rama. Pas takimit me Zelenskyn, shefi i qeverisë shqiptare në orën 11:00 do të presë liderët nga Ballkani Perëndimor në Pallatin e Kongreseve.

Kurse Bashkimi Evropian nuk do të sjellë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por Oliver Varhelyi.

Nga vendet fqinje, Greqia nuk do të ketë asnjë përfaqësim në Samit, kurse Maqedonia e Veriut në ditën e parë do të përfaqësohet nga Presidenti Stevo Pendarovski dhe një ditë më pas me kryeministrin Talat Xhaferin.

Pas kësaj, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajnë një konferencë për mediat për t’iu përgjigjur interesit të gazetarëve, të cilët do të ndjekin nga afër punimet e samitit.

Presidenti i Ukrainës, pas mbajtjes së konferencës do të largohet nga Shqipëria, kurse liderët e Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë për takimin e së enjtes.



Skip to toolbar