Presidenti Meta i dashuruar me postin. Do mbrohet nga shkarkimi, deri në Strasburg

#NËRADAR


Ilir Meta e ka marrë më në fund seriozisht maxhorancën kur vjen puna te shkarkimi i tij nga posti i presidentit. ai i ka dërguar një letër të dytë kuvendit, ku vec botimit të dekretit në fletoren zyrtare që duket si pilar i mbrojtjes së tij, ai ka përmendur dhe konventën europiane të të drejtave të njeriut, e cila mbrohet nga procese gjyqesore të gjykatës së strasburgut.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër Kuvendit, ku i kthen përgjigje kërkesës së bërë nga Komisioni i Ligjeve, në lidhje me dekretin e datës 10 qershor, që shfuqizon datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Ilir Meta shprehet se dekreti i tij është i ligjshëm, duke e argumentuar këtë vendim edhe me botimin e dekretit në Fletoren Zyrtare.

“Ky dekret është në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 84, ditë e martë, 11 qershor 2019, e për pasojë  është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshi këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në argumentin kryesor, që Ilir Meta i paraqet me shkresë zyrtare Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend.

Më tej, Ilir Meta, paraqet gjithashtu një tjetër argument, ku shprehet se “Dekreti i Presidentit është një akt i rëndësishëm me natyrë kushtetuese i marrë në respekt edhe të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, shkruan Meta, çka duket se kreu i shtetit i jep edhe një tjetër motivacion dekretit të tij.

Kjo theksohet në paragrafin pasardhës, ku Ilir Meta i paraqet Kuvendit argumentin se “ky akt respekton posaçërisht nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konvetntës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe deytirmet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006”, shkruhet në letrën e Metës.

Në këtë linjë, duke e bazuar në argumenta që burojnë nga konventat ndërkombëtare, Ilir Meta shprehet se veprimet parlamentare për shkarkimin e tij, janë një proces i rremë i pambështetur në argumente kushtetuese. Gjithashtu, Ilir Meta duke e cilësuar nismën e parlamentit për shkarkimin e tij nga detyra si proces politik, shprehet se kjo nuk i shërben zgjidhjes së krizës politike në vend.

Çka bie në sy në këtë letër, është fakti se argumentet e çdekretimit të datës së zgjedhjeve me arsyen e ruajtjes së stabilitetit dhe unitetit kombëtar, që sipas Metës ishin kushtetuese, tashmë kanë dalë në plan të dytë dhe në rresht të parë, janë pikërisht argumentet që bazohen mbi pika të konventave ndërkombëtare të miratuara edhe nga Shqipëria.

Realstory.al e paralajmëroi mbrojtjen e Ilir Metës!

Kërkesa e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit pas nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve ka vënë në pozitë të vështirë Ilir Metën, i cili nga pozicioni sulmues ndaj mazhorancës, duke kërkuar zbatimin e dekretit, duket se ka kaluar në mbrojtje, duke iu frikësuar edhe më shumë vendimit për shkarkim, tashmë që ka hyrë në procedurë edhe nga Komisioni i Ligjeve, por edhe nga mesazhet gjithnjë e më të forta që Rama ka lëshuar në adresë të kreut të shtetit.

Kjo mbrojtje e Metës vihet re nga kërkesa e dytë që ai i ka dërguar KQZ-së për mandatet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon praktikën shkresore për njoftimin e krijimit të vakancës në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit për çdo deputet, ku përfshihet kopja e njoftimit të Kuvendit dhe kopja e dorëheqjes së deputetit nga mandati. Po ashtu Meta ka kërkuar edhe kopje të vendimeve të KQZ për dhënien e mandatit për çdo deputet të ri për çdo vakancë të parakohshme të krijuar dhe të zëvendësuar deri më tani në Kuvendin e Shqipërisë.

Realstory.al e paralajmëroi që të martën këtë lëvizje të Metës, duke argumentuar se Meta nuk do të shkrijë Kuvendin, por po përgatit mbrojtjen e vet në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se Komisioni i Mandateve nuk ka bërë verifikimet e kërkesave për dorëzimin e tyre nga deputetët e opozitës, për të kërkuar kështu pavlefshmërinë e votimit në kuvend për shkarkimin e tij. Burime të larta nga Kuvendi thonë se drejtuesit kanë qenë “nën presion të madh ndërkombëtar” që këto mandate të dorëzuara të dërgohen sa më shpejt në KQZ dhe të gjitha kërkesat e dorëzuara nga opozitarët parlamentarë, u dërguan brenda dy ditëve në KQZ, pa pritur fundin e afatit 30 ditor që përcakton ligji.

Por kjo nuk është frika e vetme e Metës. Kryeministri tha në Kuvend të enjten se Shqipëria duhet të japë prova konkrete (ashtu siç kanë bërë edhe shtete të tjera) që të fitojë integrimin, duke vënë para drejtësisë, presidentë e kryeministra, me pak fjalë zyrtarë të lartë. Por, çfarë deshi të thoshte Rama me këtë?!

Burime të larta diplomatike thanë për realstory.al se kushti i pathënë për vendimin që do të merret në tetor për negociatat e Shqipërisë është SPAK, një nga strukturat, ku është investuar dhe kërkuar me ngulm si nga SHBA ashtu edhe nga BE për goditjen e korrupsionit në nivele të larta shtetërore, që mund të cilësohet “thembra e Akilit” për reformën në drejtësi.

Ky informacion për kushtin e SPAK, siç duket i është komunikuar edhe Presidentit dhe me këtë kusht kuptohet qartë se mesazhi i Ramës nga Kuvendi është i drejtpërdrejtë për Metën, duke paralajmëruar se edhe nëse Presidenti arrin të mbrojë veten në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin nga Kuvendi, me krijimin e SPAK brenda tetorit të këtij viti, në Shqipëri mund të përsëritet skenari i Kroacisë, ku u arrestua ish-kryeministrit Ivo Sanader.

Pra, Meta duket qartë se me këto lëvizje ka kaluar në mbrojtje, duke konfirmuar atë që Rama tha në studion e Real Story të Sokol Ballës “se unë jam tre lëvizje para tyre”./Realstory.al



Skip to toolbar