Qeveria heq dorë nga PPP/ Nuk rinovohet koncesioni për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale

EKONOMI


Që prej 1 janarit të vitit 2025 prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale do të realizohet nga shteti. Qeveria shqiptare ka vendosur të mos e rinovojë kontratën koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale. Ndryshimet ligjore janë hedhur për konsultim nga ministria e financave.

Ndërkohë që kontrata e nënshkruar midis kompanisë private “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, përfundon në 31 dhjetor të vitit 2024. Në draft propozohet që prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do ti paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

Kontrata mes Ministrisë e Financave dhe kompanisë private u miratua në 2011 në kohën kur në pushtet ishin demokratët dhe përfundonte në 2022. Kjo kontrate u shty me 2 vite pasi kompania pretendonte se nuk ishin zbatuar kushtet e vendosura në kontratë pasi nuk ishte realizuar komponenti i vendosjes së pullave fiskale te barnat.

Edhe pse pati shumë ankesa maxhoranca u detyrua të shtynte këtë koncesion por me detyrimin që kjo shoqëri të ulte tarifat që aplikoheshin për bizneset .

Biznesi është ankuar në lidhje me kostot e këtij shërbimi që prej aprovimit në kohën e demokratëve pasi çmimi mesatar në Europë i pullave rezulton se është 3 $ për 1000 copë, ndërsa në Shqipëri 22 dollarë. Pullat vendosen në produktet e akcizës, si cigare, birrë, barna dhe alkool në momentin e hedhjes për konsum.

Pas koncesionit të prodhimit të pasaportave, shërbimi i pullave fiskale është koncesioni i dytë i dhënë nga demokratët që kalon në dorë të shtetit.



Skip to toolbar