Do japë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion ndaj gruas? Kryeministri i Spanjës njofton sot vendimin

BOTA


Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez do të njoftojë ditën e sotme vendimin nëse do të japë apo jo dorëheqjen, pas akuzave për korrupsion ndaj bashkëshortes së tij.

Mbështetësit e tij në Partinë Socialiste (PSOE) i kanë kërkuar Sanchez të vazhdojë detyrën. Javën e kaluar, ai tha se po tërhiqej për disa ditë për të vendosur të ardhmen e tij dhe do të bënte një njoftim zyrtar sot.

Gjithçka nisi pasi një gjykatë në Spanjë nisi një hetim për korrupsion në biznes të gruas së Sanchez, Begona Gomez. Sanchez ka mohuar të gjitha akuzat kundër gruas së tij dhe e quajti atë pjesë të një fushate të vazhdueshme të hedhjes së baltës nga rivalët e tij politikë.

Sanchez mund të japë dorëheqjen si kryeministër i Spanjës ose të vazhdojë detyrën. Ai gjithashtu mund t’i nënshtrohet një votëbesimi parlamentar dhe të japë dorëheqjen vetëm nëse humbet votën.

Një tjetër opsion i disponueshëm për të janë zgjedhjet e parakohshme më 21 korrik, që është dita më e hershme e lejuar nga kushtetuta. Ndërkohë, mijëra mbështetës të Sanchez mbajtën mitingje në Madrid gjatë fundjavës dhe i kërkuan atij që të vazhdojë t’i shërbejë vendit.

Sanchez, një nga udhëheqësit socialistë më të vjetër të BE-së, u bë për herë të parë kryeministër i Spanjës në vitin 2018 dhe siguroi një mandat të dytë radhazi për socialistët vitin e kaluar si udhëheqës i një koalicioni qeveritar të pakicës.



Skip to toolbar