Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar ndaj fjalimit të presidentes së re të shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon vendosmërinë e ‘fuqishme të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht si respektimi i plotë i Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës’.
“Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara”, thotë MPJ.
Ministria bën thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur të shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit përfaqëson një interes themelor strategjik dhe një garantues të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit, thekson ky institucion.
Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me betimin e saj në parlament të dielën rindezi një debat të vjetër. Në vend të “Maqedoni e Veriut”, siç është emri i vendit pas marrëveshjes me Greqinë, ajo përdori emrin “Maqedoni”. Kjo solli reagimin e Athinës zyrtare, por edhe të Bashkimit Europian.