Opozita nuk njeh vendimin e Kolegjit: Rezistencë, nuk ka zgjedhje më 30 qershor

AKTUALITET


Kolegji Zgjedhor ka folur të hënën me vendim të formës së prerë, të marrë në mënyrë unanime nga të 5 gjyqtarët të cilët rrëzuan dekretin e Metës dhe mbajtën në fuqi datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve. Por ky vendim nuk njihet nga opozita. Dash Shehi ka folur në emër të Koalicionit opozitar në përfundim të takimit që zhvilluan të hënën në zyrën e Bashës dhe tha se qëndrimi vazhdon të jetë i njejtë. Opozita nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe gjatë gjithë kësaj jave do të vazhdojë rezistencën në çdo cep të Shqipërisë.

“Kjo javë do të kulmojë në protestën popullore. Këto nuk janë zgjedhje. Ne nuk i njohim. Këto janë votime të zotit Rama, ne do të ndjekim dekretin e presidentit. Dekreti është në fuqi. Kolegji nuk marrë ndonjë vendim për dekretin. Është vendim për një parti fantazim. Kolegjit i ka ra fati i keq të marrë ca vendime që ne nuk i njohim. Ne do përballemi në çdo cep të Shqipërisë me juntën e re politike”, është shprehur Shehi.

Ai nuk përmendi në asnjë rast fjalën dhunë por tha se rezistenca do të jetë brenda asaj që parashikojnë ligjet dhe demokracia (por kështu kanë thënë edhe për sulmet në KZAZ).

Ndërsa Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka deklaruar se vendimi ka ardhur si pasojë e presionit që sipas tij Rama u ka bërë gjyqtarëve.

“Rama ka kapur institucionet zgjedhore, si KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor përmes presioni mbi gjyqtarët dhe vettingun politik. Rama ka vjedhur zgjedhjet në çdo rast, ka shkatërruar parlamentin, po ashtu edhe pushtetin gjyqësor, e ka kthyer çdo gjë në funksion të pushtetit të tij”, tha Mediu, por nuk dha ndonjë provë veç akuzave politike.

Më tej, ai paralajmëroi se me 30 qershor nuk do të lejohen zgjedhjet. “Shqiptarët kanë të drejtën që të mos lejojnë një proces të tillë të shkatërrimit të Shqipërisë në 30 Qershor. Nuk duhet dhe nuk do të ketë zgjedhje të ligjshme”, tha Mediu ndërsa u bëri thirrje ndërkombëtarëve “të ndalojnë këtë krim elektoral që do të ketë pasoja jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin”, tha Mediu.

Kujtojmë se Kolegji Zgjedhor luan rolin e gjykatës së Apelit përsa i përket çështjeve që lidhen me zgjedhjet dhe çdo vendim i tij është i formës së prerë.  Ngritja dhe funksionimi i Kolegjit Zgjedhor është i parashikuar në Kodin Zgjedhor, Kod i cili është miratuar me votat dhe konsensusin e të dy partive, si të PS-së, ashtu edhe të PD-së.

Pra opozita refuzon të njohë vendimet e një gjykate të miratuar prej saj në Kodin Zgjedhor, duke shënuar një tjetër shkelje ligjore, ndërsa kërkon që shkeljen e tyre të fusin edhe ndërkombëtarët.



Skip to toolbar