Plani për pushtimin e Gazës, 5 kushtet që janë vendosur për t’i dhënë fund luftës

BOTA


Pas një takimi të kabinetit të sigurisë në Jerusalem që zgjati disa orë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi në orët e para të mëngjesit të së premtes miratimin e një plani për marrjen nën kontroll të Gazës.

Sipas deklaratës zyrtare, plani u miratua me shumicë votash nga kabineti dhe përfshin gjithashtu pesë kushte që synojnë përfundimin e luftës.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të përgatiten për të marrë kontrollin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimeve”, thuhet në deklaratë.

Pesë parimet e shpallura për përfundimin e konfliktit janë:

1.Çarmatimi i Hamasit

2.Kthimi i të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur

3.Demilitarizimi i Rripit të Gazës

4.Kontrolli i sigurisë nga Izraeli mbi Rripin e Gazës

5.Krijimi i një qeverie civile alternative që nuk përfshin as Hamasin dhe as Autoritetin Palestinez

Në përfundim të deklaratës, thuhet se “një shumicë absolute e ministrave të kabinetit vlerësoi se plani alternativ i paraqitur nuk do të siguronte as mposhtjen e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve të rrëmbyer”.

Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet në Gaza janë në kulm dhe bashkësia ndërkombëtare vijon të paralajmërojë për një katastrofë të thellë humanitare.



Skip to toolbar