Fjala e fundit e Bashës: Nuk komentojmë vendimet e gjykatave, do t’i respektojmë

AKTUALITET


Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë e PD-së pas vendimit të sotëm të gjykatës së Apelit, e cila që vula dhe drejtimi i partisë t’i kalojë grupimit të Rithemelimit që përfaqësohet nga Sali Berisha. Në një prononcim për mediat para mbledhjes, Basha tha se nuk komenton vendimet e gjykatave dhe se do t’i respektojë ato.

“Jo, nuk komentoj vendimet e gjykatave. Ky është një standard i yni si PD, të cilin kemi deklaruar se do të përmbahemi edhe në rastin e vendimit të gjykatës së Apelit. Ajo që dua të them shumë mbështetësve dhe demokratëve që janë mërzitur me këtë vendim, t’ju them që të mos mërziten dhe të mos dëshpërohen. Në fund të fundit, këtë betejë as nuk e kemi nisur, as nuk e vazhdojmë për logoi, vulë apo karrige. Bashkë për diçka shumë më të madhe, është një betejë shpirtrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur PD.

Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton ndryshe, më mirë dhe më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, dhe nuk kemi pak, që të mos e shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, të qindra mijëra njerëzve që besojnë në një të ardhme më të mirë të vendit po të vazhdojmë betejën dhe përpjekjet tona.”, tha Basha.

A do të bëjë rekurs?

“Vendimet për hapat do t’i diskutojmë tani me kolegët. Të gjitha vendimet do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi ndërmarrë përpara demokratëve. Synimi kryesor i të cilëve është largimi i kësaj qeverie dhe hapja e një perspektive të një Shqipërie që meriton shumë më shumë”, tha Basha./abcnews.al



Skip to toolbar