Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar një urdhër arresti për ish-ministrin rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, Valery Gerasimov, pasi dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Ukrainë.
Gjykata tha se kishte arsye për të besuar se Shoigu dhe Gerasimov mbajnë përgjegjësi penale individuale për sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë midis tetorit 2022 dhe marsit 2023.
“Ka arsye të arsyeshme për të besuar se dy të dyshuarit mbajnë përgjegjësi për sulmet me raketa … kundër infrastrukturës elektrike të Ukrainës”, tha GJND në padinë e saj.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se vendimi i GJNP-së ështe një tregues i qartë se drejtësia për krimet ruse kundër ukrainasve është e pashmangshme.
“Çdo kriminel i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e këtyre sulmeve duhet të dijë se drejtësia do të vihet në vend. Dhe ne shpresojmë t’i shohim ata pas hekurave”, tha Zelenski
Në një reagim për këtë çështje, Këshilli i Sigurimit i Rusisë tha se urdhër-arresti kundër Shoigu ishte i parëndësishëm dhe pjesë e një lufte hibride kundër Moskës.
Shoigu, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes muajin e kaluar, një detyrë që ai e kishte mbajtur që nga viti 2012. Ai tani është sekretar i Këshillit të Sigurimit.