“Vetëm Zoti mund të më nxjerrë nga gara”, Biden: Askush nuk është më i kualifikuar se unë

BOTA


“Askush nuk është më i kualifikuar (se unë)” për të qenë president ose për të fituar këto zgjedhje, tha Presidenti i SHBA Joe Biden gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan ABC News.

Intervista vjen pas performancës zhgënjyese të 81-vjeçarit në debatin me rivalin e tij republikan 78-vjeçar Donald Trump më 27 qershor, e cila bëri që disa demokratë të ngrenë çështjen e tërheqjes së kandidaturës së tij. Tashmë 4 kongresmenë demokratë i kanë kërkuar Biden që të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

Biden mbrojti me kokëfortësi kandidaturën dhe aftësinë e tij për të qeverisur vendin për një mandat të dytë. Presidenti amerikan tha se ai “nuk i beson” sondazheve që i japin rivalit të tij një avantazh kombëtar dhe në shtetet kyçe, duke thënë se nga këndvështrimi i tij ai është “kokë më kokë” me Donald Trump.

Presidenti Biden pranoi për të disatën herë se paraqitja e tij në debatin televiziv me Trump nuk i përmbushi pritshmëritë, por theksoi se ishte një incident i izoluar për shkak të të ftohurës që po e shqetësonte. “Unë po ndihesha i keq … kisha një të ftohtë të keqe atë ditë”, u shpreh presidenti amerikan.

I pyetur për shëndetin dhe moshën e tij, Biden tha: “Unë jam ende në formë të mirë, askush nuk tha se kam nevojë për teste neurologjike dhe njohëse. Unë bëj një test njohës çdo ditë.

Biden përfundimisht e përjashtoi plotësisht mundësinë e largimit nga gara.

“Unë do ta bëja vetëm me ndërhyrje hyjnore, nëse Zoti i Plotfuqishëm do të zbriste dhe do të thoshte “Joe, dil nga gara”, unë do të dilja nga gara”, tha Biden.



Skip to toolbar