Cakaj: Zgjedhjet, kusht për negociatat. Ndërkombëtarët na mbështesin në 30 qershor

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe kjo mbështetet nga faktori ndërkombëtar. Madje sipas tij, kushti për hapjen e negociatave është sjellja e përgjegjshme e faktorit të brendshëm politik në 30 qershor.

“Kushti i Shqipërisë për negociatat është sjellja e përgjegjshme në zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo është koha kur interesi strategjik i shqiptarëve duhet të prevalojë”, tha Cakaj. I pyetur për deklaratën e presidentit Meta se sipas tij zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor nuk do njihet nga ndërkombëtarët dhe do ndikojë negativisht në hapjen e negociatave, Cakaj tha:  

“Nuk komentoj deklaratat e presidentit. Por theksoj rëndësinë e unitetit të brendshëm politik. Dhe përpjekjet e përbashkëta për hapjen  e negociatave në tetor. Deri tani rezultat i suksesshëm i Shqipërisë është që kemi shmangur reflektimin e situatës në Shqipëri përmes shtimit të kushteve për hapjen e negociatave. Sjellja e përgjegjshme dhe demokratike nuk është çështjes zgjedhjesh personale, por çështje detyrimi kombëtar”, tha Cakaj i cili theksoi se ndërkombëtarët mbështesin zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Teksa u pyet për vendimin e KiE për tërheqejn e vëzhguesve në zgjedhjet e 30 qershorit, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj tha: “Nuk ka asnjë deklaratë të tillë nga Këshilli i Europës. Nuk më takon mua të komentoj mbi vendimet e organizatave të caktuara pse nuk vijnë në Shqipëri. Mbajtja e zgjedhjeve në 30 qershor ka marrë mbështetjen e të gjithë ndërkombëtarëve”.

Këto deklarata Cakaj i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili nga ana e tij shprehu mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë.



Skip to toolbar