Ditën e sotme bëhet një vit nga vrasja e Liridona Ademajt në Kosovë.
Ajo u vra në lagjen “Bërnicë” të Prishtinës, dhe si i dyshuari kryesor për porositjen e ekzekutimit të saj është Naim Murseli, bashkëshorti i saj.
Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së.
Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur lidhjet me Granit Plavën, për ta vendosur në dispozicion të Murselit.
Ndërkohë aktakuzë për rastin në fjalë nuk është ngritur ende. Prokuroria ka thënë se hetimet po vazhdojnë, duke mos pranuar të ndajnë informacione të tjera. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Po ashtu, në përvjetorin e parë të vdekjes së motrës, vëllai i Liridonës, ka bërë një postim në rrjetet sociale.
Postimi i të vëllait të Liridonës:
Sot u bë 1 vit që nga vdekja jote motër.
Na mungon pa fund, malli për ty shtohet dita e dites e mungesa jote vrehet çdo moment.
Do të kujtojmë gjithmonë me mallë, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të moren nga ne në moshën me të mire, e në mënyren me dinake.
Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra.
Më kujtohet ende se si për pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja.
Nuk do ta harrojmë kurrë sa e vështirë ishte për ne, nuk do ta harrojmë kurrë atë dhimbje.
Qofsh banore e Xhennetit Motër, të kujtojmë gjithmonë me mallë e dashuri familja Ademaj si dhe djemtë Diar dhe Dion.