PD thyen premtimin për jo dhunë. “Gjeneral” Gjunkshi trazon Dibrën

AKTUALITET


Opozita ka thyer heshtjen zgjedhore, nërpërmjet protestave dhe grumbullimeve të paligjshme në disa bashki të vendit. Këto grumbullime kanë nisur gjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore në qendrat e votimit, por deri tani nuk ka pasur dëmtime të tyre.

Video e militantëve të PD që qëllojnë policinë me molotov

Publikohet video e sulmit të militantëve të Partisë Demokratike me bomba molotov ndaj KZAZ-në numër 19 në Dibër mbrëmjen e së premtes. Në videon e publikuar nga Report TV shihet teksa militantët nga një largësi nga KZAZ lëshojnë bombat molotov në drejtim të KZAZ-së ku ndodhen edhe efektivë të policisë që e ruanin atë. Bombat molotov hidhen në drejtim të forcave të policisë dhe shpërthejnë në hyrje të KZAZ-së, ku punonjësit e policisë në tentativë për të mbrojtur KZAZ-në janë plagosur nga zjarri dhe shpërthimet. Pak më herët, PD deklaroi se nuk ka pasur bomba molotov, por policët janë plagosur nga gazi lotsjellës. Kjo video rrëzon pretendimet e PD, ku duken qartë sulmet e militantëve me lëndë plasëse. 6 efektivë policie mbetën të lënduar ndërsa 12 persona u arrestuan për sulmin. Në Real Story te premten ne mbremje nga Vlora, pak minuta pas ngjarjes, Kryeministri Edi Rama fajësoi për këtë ish deputetin e PD te Dibrës dhe ish gjeneralin Xhemal Gjunkshi.

Tiranë

Militantë të PD, pranë njësisë administrative nr. 8 në kryeqytet janë mbledhur pranë “Shkollës së Kuqe”, e cila ditën e diel do të shërbejë si qendër votimi. Me thirrja “Rama ik” ata janë afruar pranë qendrës së votimit, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje, për të shmangur çdo incident të mundshëm.

PD, thirrje për bojkot të zgjedhjeve: Protesta në Dibër, paqësore

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të dielën, ndërsa ka marrë në mbrojtje protestuesit në Dibër gjatë përplasjes te KZAZ, ku sipas tij, qytetarët kanë qenë paqësorë dhe policia ka shkelur ligjin. Reagimi nga selia blu është shoqëruar me një video të një infermiereje, duke pretenduar se policët e plagosur janë lënduar nga gazi lotsjellës i policisë dhe jo nga opozita.

“Mbrëmjen e djeshme nuk ka ndodhur asgjë nga ato që policia politike e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt mashtroi. Nuk është hedhur asnjë bombë molotov. Ka pasur vetëm protestues paqësorë në të drejtën e tyre kushtetuese për të kundërshtuar rikthimin e diktaturës në vend. E vetmja që ka qenë në paligjshmëri, ishte policia, e cila ka goditur me gaz lotsjellës protestuesit paqësore. Dëshmia e infermieres kurajoze nga Dibra, rrëzon poshtë propagandën dhe mashtrimet luftënxitëse të Sandër Lleshajt dhe Edi Ramës. Infermierja tha të vërtetën se policët nuk janë lënduar nga protestuesit paqësorë, por nga vetë kolegët e tyre”, u shpreh Paloka. Opozita ftoi çdo qytetarët të mos dalin në votime.

“PD fton qytetarët mos bien pre e provokimeve të Edi Ramës. Refuzojeni dhe bojkotojeni. Sfidojeni dhe mos u përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë”, deklaroi nënkryetari i PD.

Dibër

Po ashtu, një situatë e pazakontë po ndodh dhe në Dibër. Forca të shumta policie ndodhen në qytetin e Peshkopisë për të siguruar rendin dhe qetësinë një ditë para votimeve të së dielës. Ndërsa mëngjesin e së shtunës një grup protestuesish të opozitës, janë përplasur me Forcat e Lëvizshme Operacionale që kanë mbërritur në Peshkopi, pas incidenteve të mbrëmshme në KZAZ-në numër 19.

Protestuesit kanë lëshuar thirrje kundër ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe iu kanë kërkuar efektivëve të maskuar dhe të armatosur të heqin armët. Persona civilë kanë ndërhyrë për të larguar disi efektivët e FLO për të shmangur përplasjen. Nga ana tjetër ish-deputeti i PD Xhemal Gjunkshi iu ka bërë thirrje qytetarëve të zmbrapsen dhe ka kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar nga policia e Dibrës për dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj KZAZ, ku mbetën plagosur disa persona dhe punonjës policie.

Pas përplasjeve me punonjësit e policisë të FLO, protestuesit e opozitës janë mbledhur në një tubim para Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ku kërkojnë lirimin e të arrestuarve gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës. Mbështetësit e opozitës janë shprehur kundër zhvillimet të zgjedhjeve të dielën dhe kërkojnë lirimin e personave të arrestuar pas përplasjeve në KZAZ 19 në Peshkopi.

Dega e PD në Elbasan, paralajmëron protesta të dielën

Dega e Partisë Demokratike në Elbasan, nëpërmjet strukturës të krijuar Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në Elbasan ka bërë thirrje për qytetarët që të braktisin zgjedhjet e së dielës, duke paralajmëruar protesta. Në një deklaratë për mediat, selia blu në këtë qytet tha se e diela është dita kur të gjithë duhet të tregojnë se zgjedhjet nuk vlejnë pasi në thelb ata janë kundër interesit kombëtar.

“Të dielën, më 30 Qershor, braktisni votimet! Të dielën, më 30 Qershor, bashkohuni me protestat tona”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD.

Kurbin

Sipas raportimeve, në Kurbin janë mbledhur dhjetëra militantë demokratë, të cilët kanë dalë në rrugë me pankarta “Rama ik”, e ndërsa përfaqësuesit e kësaj partie, kanë deklaruar se nuk po kryejnë shkelje të ligjit, pasi zgjedhjet nuk do të zhvillohen në 30 qershor.

Protesta po zhvillohet në qendër të Laçit, para Pallatit të Kulturës. Sipas protestuesve, ata do të jenë të bashkuar për të mos lejuar zgjedhjet në këtë qytet.

Nga burimet e policisë mësohet se ata nuk kanë marrë leje për këtë protestë, por vetëm kanë çuar një njoftim në polici, duke deklaruar se do të protestojnë.

Tiranë

Po ashtu, e njëjtë si në Kurbin është paraqitur situata edhe para KZAZ-së në zonën e Kombinatit në Tiranë. Ata janë shprehur kundër zgjedhjeve të 30 qershorit, e ndërsa kanë kërkuar edhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Ata mbajnë pankarta në duar ku shkruhet “dega nr.6 nuk nënshtrohet”, “Mbrojmë Kushtetutën” “Jo Monizëm”.

Elbasan dhe Fier

Ndërkohë, shpërndarja e materialeve zgjedhore po kryhet edhe në Elbasan dhe Fier, por sipas policisë deri tani nuk ka pasur incidente dhe situata është e qetë.

“Shpërndarja e materialeve zgjedhore ka filluar që në orën 10:00. nuk ka pasur asnjë problematikë. Presim të vijnë edhe tre njësi të tjera dhe shpresojmë se deri pasdite do kemi përfunduar shpërndarjen e bazës materiale në të gjithë Fierin”, tha kreu i KZAZ në Fier Niko Neço.

Në përditësim…



Skip to toolbar