“Pashë me sytë e mi goditjen në kullat binjake”, Blerim Skoro në “Real Story”: Ndaja qelinë me një algjerian, gëzohej për sulmin

Më të fundit


Blerim Skoro, shqiptari nga Kosova që ka punuar si agjent për CIA-n amerikane, ka rrëfyer në një intervistë për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, momentin kur pa sulmin terrorist në Kullat Binjake në New York në shtator të vitit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Asokohe kur ndodhi ngjarja, Skoro po vuante dënimin për drogë. Skoro thotë se nga dritarja e qelisë së tij pa kur njëri nga avionët goditi kullat. Në qeli me të ishte edhe një algjerian, i cili qëndronte pas të ashtuquajturit Komploti i Mijëvjeçarit për të bombarduar aeroportin e Los Anxhelosit.

Sipas tij, algjeriani ishte gëzuar për sulmin në kullat binjake, ndërsa bërtiste edhe emrin e liderit të Al Qaedas.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Historia jote është spektakolare, por edhe një dramë më vete e jotja pasi ke paguar kosto kësaj historie. Ndërkohë, sipas asaj që të ka ndodhur, je kontaktuar nga shërbimet sekrete amerikane ndërkohë që po vuaje një dënim për trafik heroine.

Blerim Skoro: Koha kur u kontaktova, edhe pse mora një përgjegjësi të padrejtë sepse arrestimi im ishte që në fillim jo arrestim që e kreva krimin. Ishte një kurth, mundem edhe ta dokumentoj se si ka qenë arrestimi. Ishte thjesht nga një informator që gaboi. Pas një kohë, e takova në Brooklyn vetë personin, është i rrethit të Shqipërisë, ma pranoi. Më tha a bën të më falësh. Ia thashë se kohën kur ndodhi ky rast nuk isha praktikues i fesë islame. Më erdhi keq se ndoshta e ka pasur asisoj momentin që nuk ka mundur të mbajë presionin që kishte. I thashë nëse pendohesh te zoti, unë do ta fal pa problem. Kjo ndodhi. Kam pasur disa raste nëpër TV, CNN kam dhënë një intervistë në 2011, është histori që vetë s’mundem me e besuar. Kur kthehem pas, më duket vetja jo si në ato filmat e James Bond, por diçka që nuk ka ndodhur kurrë.

Sokol Balla: Ti ke ndarë qelinë me një person që përgjohej nga CIA.

Blerim Skoro: Unë e kam ndarë qelinë me personin që ishte pjesë 100 përqind i involvuar në kohën e vitit 2000, ishte Mokhtar Haouari, me shtetësi algjeriane dhe shtetësi kanadeze.

Sokol Balla: Në këtë moment ju kontaktoheni nga CIA për të përgjuar nga afër këtë person të dyshuar për aktivitet terrorist.

Blerim Skoro: Ne ishim me një dhomë, e cila ishte shumë afër kullave binjake dhe dukeshin njerëzit. Në atë moment, nuk e pamë aeroplanin e dytë, por të dytin e pamë. Goditjen e aeroplanit të dytë e kam parë me sytë e mi. Kam punuar tre muaj aty dhe e kam ditur se kanë punuar edhe shqiptarë të tjerë. Unë vetë personalisht kam punuar në njërën prej atyre kullave binjake në ‘95.

Sokol Balla: Sa ndikoi ai moment i mëngjesit të 11 shtatorit në vendimin që more për të bashkëpunuar me CIA?

Blerim Skoro: Unë jam ish ushtar i UÇK. Isha nga vullnetarët e parë të luftës së Kosovës. Edhe kur NATO bombardoi Jugosllavinë, isha me forcat e UÇK në Kosovë dhe ndanim informacionet me NATO-n. Në atë moment kur ndodhi kjo, ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e keqe sepse jam mysliman, jam praktikues i fesë islame dhe s’më linte ndërgjegjja që të shihja një njeri duke u gëzuar kur pashë që njerëzit filluan të kërcenin nga kati i 80 sepse filloi zjarri dhe xhamat krisnin. Ai që ishte në dhomë me mua gëzohej shumë, bërtiste Allahu Akbar. Më vinte shumë keq sepse ishte edhe mysliman. Kishte momente që thosha a duhet të jem unë shqiptari në krah në Amerikës apo të jem një kriminel e ta mbys këtë njeriun që gëzohet për viktimat dhe njerëz të pafajshëm.

Feja nuk ta lejon në asnjë mënyrë të mbysësh një njeri me ose pa faj. Fakti më i gjallë ishte se para syve të mi gëzohej. Ai ishte aq i gëzuar dhe bërtiste për liderin e tij të Al Qaedas.

Amerika e bombardoi Jugosllavinë për ne shqiptarët dhe na ndihmoi dhe unë thashë të rri me një njeri që i gëzohet një kombi që na shpëtoi. Sidoqoftë, ai u qetësua pak sepse pa ngjyrën e fytyrës time dhe gjuha e trupit ndryshoi. Namazin e falnim bashkë. Aty filluan debatimet. Kullat binjake filluan të binin, ishte i gëzuar. Nuk di as vetë se si e kam kaluar atë natë./abcnews.al



Skip to toolbar