Dy qëndrimet e PD/ Kërkoi votim pa dokumenta për emigrantët, kundërshton pajisjen me ID digjitale

AKTUALITET


Në një kohë kur kërkojnë që emigrantët shqiptarë të votojnë edhe me dokumenta të lëshuara nga vendet e Bashkimit Europian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike kundërshtoi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, pajisjen e qytetarëve shqiptare me letërnjoftim digjital, çka i mundëson atyre marrjen e shërbimeve të ndryshme pa patur nevojë për kartë identiteti fizike.

Si argument për mosvotimin e këtij projektligji, Dhurata Çupi, solli kodin zgjedhor, ndërsa Klotilda Bushka mohoi që nisma të ketë qëllime elektorale por vjen si nëvojë për të përmisuar shërbimet publike.

“Kodi Zgjedhor e ndalon mbas datës 11 janar deri më 11 maj çdo përpjekje të qeverisë për të marrë vota dhe për të blerë vota të qytetarëve dhe për të premtuar vota qytetarëve apo kompanive. është një përpjekje e hapur për të intimiduar dhe sigurisht, për të bërë favorin e radhës për t’i dhënë kompanisë qeveritare koncesionin e radhës, minimumi prej 5 miliardë lekësh” tha Cupi

“Me koncensione ju betë pasaportën….” shtoi Bushka.

Sipas zv.ministrit të brendshem, Andi Mahilla, ndryshimet ligjore janë në përputhje me standartet ndërkombëtare, do të rrisin sigurinë e transaksioneve online si dhe mbrojtja e të dhënave do të jetë e garantuar.

“Qëllimi është për të kontribuar në modernizmin e administratës publike si dhe të lehtësojë aksesin e qytetarëve në mjedisin digjital. Kjo ndërhyrje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik social dhe institucional të vendit duke përmirësuar jetën e qytetarëve dhe duke rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.”

Nisma, e cila parashikon që qytetarët të marrin shërbime publike apo private pa qenë e nevojshme të paraqesin fizikisht kartën e identitetit, por nëpërmjet celularit, ka një kosto prej 5 miliardë lekësh dhe efektet financiare do të përballohen nga buxheti i kompanisë së pajisjes me karta dhe pasaporta   IdentiTek  ose  nga shoqëri të tjera  të cilat kanë kapacitete teknike e financiare.



Skip to toolbar