Mbërritja e 49 azilkërkuesve në Portin e Shëngjinit ka rikthyer në zbatim marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Anija e marinës italiane “Cassiopea” preku ujërat shqiptare mëngjesin e së martës (28 janar). Tani ata priten të transferohen në qendrat e posaçme, që do të verifikojnë gjendjen e tyre shëndetësore dhe statusin, nëse u lejohet apo jo qëndrimi në vend në bazë të disa kushteve. Personat që pranohen do të transferohen në qendrën e ngritur në Gjadër.
Ministria e Brendshme italiane njoftoi në fundjavë se 53 emigrantë të tjerë kanë paraqitur pasaportat e tyre, çka do të përshpejtojë procesin e përpunimit aplikimeve të tyre dhe do të rrisë mundësinë e dëbimit të atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin europian.
Në nëntor të vitit 2023, kryeministri Edi Rama nënshkroi një marrëveshje me homologen italiane për hapjen e dy qendrave, që do të drejtohen nga Italia, për të strehuar emigrantët që shpëtohen nga autoritetet italiane në ujërat e Mesdheut derisa të procesohen kërkesat e tyre për azil.
Qendrat u bënë funksionale në muajin tetor, por gjyqtarët italianë vendosën kundër transferimit atje të dy grupeve të para të emigrantëve, të cilët u ridërguan në Itali. Qëndrimin e tyre gjyqtarët italianë e bazuan në një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë për vendet e sigurta të origjinës.
Në kundërpërgjigje, qeveria e Xhorxha Melonit miratoi në tetor të vitit të shkuar një listë të re vendesh të sigurta, ku si të tilla cilësohen 19 nga 22 vende që ishin në listën e mëparshme.
Plani i qeverisë italiane për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri është ndërkohë në shqyrtim nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, me kërkesë të gjyqësorit Italian.