Për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të kemi një president që nuk ushtron të drejtën për të votuar. E drejtë kjo e garantuar nga Kushtetuta për të cilin presidenti është garant. Me këtë akt, presidenti Meta duket se ka hyrë në histori duke u cilësuar si presidenti i parë që refuzon të votojë.
Këtë akt presidenti e ndërmori që me vendimin e tij për të çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht se ishte ai që e kishte dekretuar si datë.
Ky vendim i tij është cilësuar antikushtetues nga maxhoranca e cila ka nisur procedurat parlamentare për shkarkimin e Presidentit.
Ndërkohë që argumenti i tij është se çdekretimi i zgjedhjeve është bërë për t’i dhënë mundësi palëve për të arritur një kompromis në mënyrë që edhe opozita të futet në zgjedhje. Për këtë arsye ai ka dekretuar një datë tjetër zgjedhjesh, siç është data 13 tetor. Por edhe pas kësaj, opozita deklaroi se nuk do të futet as në këtë datë në zgjedhje.
Pavarësisht vendimit të opozitës dhe të presidentit i gjithë faktori ndërkombëtar njeh datën 30 qershor dhe mbështet zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Madje gjatë ditës së dielë të gjithë ambasadorët kanë zbritur në terren për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Pra zgjedhjet po zhvillohen normalisht, ndërkohë që do të mbahet mend se presidenti nuk mori pjesë në to.