Trump përmend fletëvotimet e pavlefshme si provë për manipulime të mundshme në zgjedhje

Presidenti i SHBA Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve, duke shprehur shqetësim për mashtrim të mundshëm me fletëvotimet postare, një skenar që shumë zyrtarë thonë se po zmadhohet së tepërmi.

“Duam të sigurohemi që zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe unë nuk jam i sigurt se mund të jenë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të enjten në Shtëpinë e Bardhë para se të hipte në helikopterin “Marine One” për të shkuar në Karolinën e Veriut dhe në Florida.


Presidenti Trump tha se “shumë fletëvotime u gjetën në një lumë” dhe ato me emrin Trump “u hodhën në një shportë mbeturinash”.

Një numër i vogël i fletëvotimesh të dërguara me postë nga ushtarakë u hodhën poshtë dhe nëntë prej tyre janë gjetur, në kuadrin e një hetimi, sipas zyrës së Prokurorit në Middle District të Pensilvanisë.

“Disa prej atyre fletëvotimesh mund t’u atribuohen votuesve konkretë ndërsa disa të tjera jo”, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë. “Të nëntë fletëvotimet ishin hedhur për kandidatin presidencial Donald Trump,” sipas Departamentit.

Historikisht, vendi nuk ka parë “asnjë lloj përpjekje të koordinuar në shkallë kombëtare për mashtrim në një zgjedhje të madhe, qoftë me postë apo ndryshe,” tha Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Christopher Wray të enjten para një komisioni të Senatit.

Zoti Wray tha se do të ishte një sfidë e madhe që një kundërshtar të mashtronte në shkallë të gjerë, “por njerëzit nuk duhet të jenë vigjilentë ndaj kërcënimit dhe ta vëzhgojnë atë me kujdes pasi jemi në një territor të paeksploruar.”

Zyrtarë republikanë theksojnë rëndësinë e tranzicionit paqësor

Zyrtarë kryesorë republikanë theksuan rëndësinë e një tranzicioni paqësor të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi Presidenti Donald Trump refuzoi të angazhohet për një premtim të tillë, në rast se ai humbet përballë kandidatit demokrat Joe Biden.

“Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha presidenti në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konference për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mbrëmje. “Unë jam ankuar me shumë forcë për fletëvotimet dhe ato janë një katastrofë”.

Pa paraqitur asnjë provë, Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për manipulime masive falë dhjetëra miliona fletëvotimeve të dërguara nëpërmjet postës, sistem të cilin demokratët e kanë inkurajuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam të kemi – t’i heqim fletët e votimit”, vazhdoi presidenti, duke shpjeguar se nëse do të krijohej një situatë e tillë “nuk do të ketë një transferim, sinqerisht; do të ketë një vazhdimësi”.

Kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnell, shkruajti të enjten në Twitter se “Fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të inaugurohet në 20 janar. Do të ketë një tranzicion të rregullt ashtu siç ka qenë për çdo katër vite që nga 1792”.

Senatori i Floridas, Marco Rubio, tha se “në mesditën e 20 janarit 2021, ne do të bëjmë paqësisht betimin e Presidentit”.

Ligjvënësja Liz Cheney tha të enjten në Twitter se “transferimi paqësor i pushtetit është i mishëruar në Kushtetutën tonë dhe thelbësor për mbijetesën e Republikës tonë”.

Senatori i hershëm republikan Lindsay Graham i tha emisionit “Fox and Friends” se “nëse republikanët humbin, ne do të pranojmë rezultatin”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet të enjten nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp dhe u shpreh se “presidenti do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Rivali demokrat i Presidentit Trump, Joe Biden, gjithashtu reagoi të mërkurën ndaj komenteve të Presidentit Trump.

“Në cilin vend jemi? Po e them me humor”, tha ish-nënpresidenti. “Thashë, në cilin vend jemi? Shikoni, ai thotë gjërat më të palogjikshme. Nuk di çfarë të them”.

Një nga grupet më të vjetra të të drejtave kushtetuese të vendit gjithashtu komentoi.

“Transferimi paqësor i pushtetit është thelbësor për një demokraci funksionale. Kjo deklaratë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të shqetësojë çdo amerikan”, tha David Cole, drejtori kombëtar ligjor i Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Më herët të mërkurën, Presidenti Trump tha se ai mendon se zgjedhjet e nëntorit “do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë dhe unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë”.

Presidenti planifikon të shpallë të emëruarën e tij për Gjykatën e Lartë të shtunën që nëse miratohet do të zëvendësonte gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Nëse Senati konfirmon kandidaten e presidentit para zgjedhjeve, kjo do t’i jepte krahut konservator një shumicë 6-3 në gjykatë.

“Ky mashtrim që demokratët po bëjnë, është një mashtrim, mashtrimi do të jetë përpara Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe unë mendoj se të kesh një situatë 4-4 nuk është një situatë e mirë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka shprehur vazhdimisht shqetësimin në lidhje me planet nga një numër shtetesh, duke përfshirë shtetet Kaliforni, Kolorado, Hauai, Nevada, Nju Xhersi, Oregon, Jutah, Vermont dhe Uashington, për të dërguar automatikisht fletëvotime për zgjedhjet të gjithë banorëve të shtetit.

Benjamin Ginsberg, një avokat i njohur për çështjet zgjedhore i cili ka përfaqësuar katër kandidatë republikanë për president, është cituar këtë muaj duke thënë se parashikimi i Presidentit Trump për mashtrim me këto vota nuk ka prova.

“Fjalët e presidentit e bëjnë retorikën e tij dhe të Partisë Republikane të duket më pak si një shqetësim i sinqertë – dhe më shumë si hipokrizi për të siguruar një avantazh elektoral”, shkruajti zoti Ginsberg në një artikull në gazetën Washington Post. “Dhe ata dalin ndërsa republikanët që përpiqen të fitojnë çështjet e tyre në gjykata duhet të përballen me të vërtetën themelore se katër dekada hetimi të dedikuar kanë prodhuar vetëm incidente të izoluara të manipulimit të zgjedhjeve”./VOA


Fushata elektorale, PD nis votimin e kandidatëve nga anëtarësia. Del lista e Qarkut Kukës.

Procesi qe nis nesër nga Qarku i Kukësit, ndodh për herë te parë në një parti politike dhe për herë të parë në Shqipëri. Anëtarët e PD janë thirrur të votojnë në bllok për listën e kandidatëve ose të refuzojnë një prej tyre. Me vendim të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, lista e kandidatëve që sipas nenit 62 të Statutit të PDSH përmbushin të gjithë elementët e nevojshëm për ecurinë në karrierë, për përfaqësim politik të Partisë Demokraike, në nivel qendor apo lokal, që kalojnë fazën e dytë dhe I NËNSHTROHEN KONSULTIMIT ME ANËTARËSINË, është si më poshtë:

Dega Kukës, Qarku Kukës:


  1. ADMIR SINAMATI
  2. ARBEN CEJKU
  3. BASHKIM SHEHU
  4. IBRAHIM BRUKA
  5. SAHIT PRIZRENI
  6. VJOLLCA VATA

Dega Tropojë, Qarku Kukës:

  1. BESNIK DUSHAJ
  2. FERIDE RRAHMANI
  3. ISUF ÇELA
  4. LUSH SUSAJ
  5. MIMOZA HAJDARMATAJ
  6. XHEM NEZAJ

Dega Has, Qarku Kukës:

  1. AVENIR PEKA
  2. DEMUSH KASTRATI
  3. ELEZ MACI
  4. ISMET JAKU
  5. ZENEL KASTRATI

Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët që konfirmohen nga antarësia, i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit në fazën e tretë, ku secili anëtar voton bazuar kryesisht në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës. Pas këtij vlerësimi, rreth 300 kandidatë që do të kalojnë edhe fazën e tretë, lista i dorëzohet për vendimmarje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.


Intervista, Balla nga Gjermania: Në 25 prill sigurojmë 74 mandate

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi nga Gjermania  se në 25 prill PS do të sigurojë 74 mandate.

Teksa shoqëron në një vizitë zyrtare kryeministrin Edi Rama në Gjermani, ku mori pjesë në forumin e  rëndësishëm të politik-bërjes në Bavari, Balla mes ironisë i sugjeroi opozitës që të qetësojë shpirtrat e trazuar.


Balla në një intervistë televizive theksoi gjithashtu se gjatë kësaj vizite në Gjermani delegacioni shqiptar është pritur në një takim me rëndësi me përfaqësues të Bundestagut si dhe me përfaqësues të kompanive me shumë rëndësi.

Intervista e plotë:

Gjatë vizitës suaj në Gjermani, patët një ndalesë ne Berlin.  Opozita në Tiranë ka hedhur akuza se kjo vizitë e juaja ka qenë e dështuar, pasi nuk patët takim me kancelaren Angela Merkel. Keni një koment në lidhje me këtë?

Vizita e kryeministrit në Gjermani është pjesëmarrja në një prej forumeve politike dhe ekonomike që zhvillohen në Landin e Bavarisë ku marrin pjesë përfaqësues të lartë politikë por dhe drejtues të kompanive gjermane, dhe jo vetëm. Fati ynë është që kryeministri i është drejtuar dhe dje dhe sot në fjalën e tij qoftë vendimmarrëseve politikë dhe atyre që janë ekonomikë, që janë drejtues të këtyre kompanive, duke ofertuar Shqipërinë si destinacion i investimeve dhe një garanci, po të kemi parasysh pozicionin gjeo-politik që ka vendi. Lidhur me abuzimet e kazanit dhe të frymëzimeve të opozitës për këtë vizitë, dua të them se qëllimi i kësaj vizite ka qenë pjesëmarrja këtu. Për ndalesën në Berlin jemi mirëpritur në një darkë pune me përfaqësues të rëndësishëm të Bundestagut, të kompanive me rëndësi këtu në Gjermani, ku ka pasur dhe anëtarë të kabinetit. E gjithë ka qenë një takim me miq të Shqipërisë, që janë të shumtë këtu në Gjermani. Dua të konstatoj se niveli politik i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është më i larti deri më tani. Dua të qetësoj shpirtrat e trazuar të përfaqësuesve të opozitës se nuk ka asnjë dështim. Por është rikonfirmim i qëllimeve tona me Gjermaninë. Nga këto marrëdhënie duhet të kalojmë dhe me zgjerim sa i takon prezencës së kompanive gjermane. Në këto vitet e fundit kemi një zgjerim të pranisë së kompanive gjermane në vendin tonë.

PS ka propozuar disa ndryshime në kodin zgjedhor. Çfarë efektesh që pritet të prodhojnë ato, duke pasur parasysh dhe rezervat e opozitës…?

Duhet të kuptojmë se ndryshimet burojnë nga ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. Kemi hedhur hapin e rëndësishëm të garantimit të hapjes së listave. Çdo shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç në 25 prill do të ketë mundësi që të japë dy vota; një votë për subjektin dhe një për kandidatin. Ata kandidatë që kanë më shumë besim nga qytetarët, kanë mundësi që të zgjidhen anëtarë të Kuvendit të ri të Shqipërisë. Lista e propozuar nga partia mund të ndryshojë për shkak të numrit të votave që merr një kandidat. Kjo nuk është shpikje alla-shqiptarçe, por një model që funksionin në mënyrë perfektë në vende të rëndësishme të BE. Si Republika Çeke, Austria, Belgjika, Holanda, dhe Kroacia, që kanë garantuar legjitimitet. Ne nuk kemi kohë për të humbur, pasi janë zgjedhjet. Le të vijnë me propozimet e tyre për sensin e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kanë vendosur piketat e rëndësishme për hapjen e listave dhe një formë të re për koalicionet parazgjedhore.

Nëse opozita do të refuzojë që të jetë pjesë e këtyre ndryshimeve, cili do të jetë hapi i maxhorancës?

Unë nuk besoj se opozita do të vazhdojë me skenarë të vjetruar të mosbashkëpunimit dhe të mospranimit të dialogut dhe të komunikimit për disa rregulla të demokracisë sikurse është dhe çështja që lidhet me faktin e kryer të hapjes së listave. Jam krenar që PS e mbështeti këtë proces të rëndësishëm të demokratizimit të vendit. Se besoj se PD është kundër dhënies së të drejtës së qytetarëve shqiptarë. Besoj se PD do të heqë dorë nga këto alibi, për t’i paraprirë humbjes së radhës në 25 prill. S’duhet të humbasim kohë. Propozimi i bërë nga ana jonë për ruajtjen e barazisë gjinore është shumë korrekte. Do të kemi 30% vajza dhe gra në Kuvend, dhe kjo është një arritje. PS ka rolin e vet në këtë emancipim.

PS ka nisur punën me strukturat e bazës. Rezultati që prisni në 25 prill?

Nga sot deri në zgjedhjet e 25 prillit janë rreth 210 ditë punë intensive. Do të jetë një fushatë atipike dhe për shkak të situatës së vështirë me pandeminë. Ne kemi ngritur shtabin qendror elektoral nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Në 12 qarqet po zhvillohen takimet e para organizatave me asambletë socialiste. Do të zhvillojmë një proces të hapur, duke përdorur dhe teknologjinë, në përzgjedhjen e kandidatëve tanë. Padyshim që një zë të rëndësishëm do të kenë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që janë aleatët tanë të vetëm. Nuk kam asnjë dyshim që PS do të konfirmojë 74 mandatet që ne na i besuan shqiptarët në 2017-ën. Por nga vlerësimi paraprak, në disa qarqe mund të kemi dhe një rritje që kemi marrë në vitin 2017.


Kosovë, votuesja e veçantë

109 vjeçe dhe kërkon që të shpreh fjalën e saj përmes votës. Kjo është Xhemile Susuri, me origjinë nga Shqipëria. 109-vjeçarja është shfaqur e shoqëruar nga nipi në qendrat e votimit për të hedhur votën e saj.

Edhe pse e moshuar, Susuri nuk ka nguruar që në 6 tetor të japë kontributin e saj në këtë historik për vendin e Kosovës dhe të ardhmes së tij.


Prania e saj në votime, është mesazhi më i mirë që mund t’i jepet të gjithë qytetarëve dhe rinisë, që duhet të shkojnë të thonë fjalën e tyre përmes votës dhe të ndihmojnë në një të ardhme sa më të mirë të vendit.


Kosovë, 24 mijë vota më shumë në 4 orë zgjedhje

Rreth 24 mijë votues më shumë janë paraqitur në qendrat e votimit në 2019 për të njëjtën sasi kohe, krahasuar me zgjedhjet e 2017. Kjo vihet re në krahasimin e shifrave të deritanishme të publikuara nga KQZ. Shifrat flasin për një interesim më të lartë të qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 2019 në Kosovë, krahasuar me zgjedhjet e 2017.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë publike shifrat e pjesëmarrjes në votime për 4 orët e para, deri në orën 11:00. Ajo që vihet re është rritja e interesimit të votuesve, të cilët janë më të shumtë në numër krahasuar me votimet e 2017 për të njëjtën kohë. .


Duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga rreth 94 % e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues, nga 9.64 %, nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e Kosovës për 2017, kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45 % e votuesve.” ka thënë Daka në një konferencë për media.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve ka bërë që ato t’i drejtohen kutive të votimit për të thënë fjalën e tyre në lidhej me atë ardhmen që dëshirojnë. Qytetarët e Kosovës janë shprehur për gazetarin Thimi Samarxhiu se dëshirojnë një vend të zhvilluar ekonomikisht, por sigurisht dhe të integruar në arenën ndërkombëtare.

Kosova voton të dielën në zgjedhjet e saj të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai lufton për një tjetër mandat, ndërsa ka përballë një kandidate mjaft e fortë dhe potenciale për të fituar si Vjosa Osmani. Osmani është kandidatja e parë femër për Kryeministre, e cila vjen nga radhët e LDK-së.

Procesi zgjedhor ka nisur në orë 07:00 dhe vijon të jetë i rregullt në të gjithë territorin. Incidente pati vetëm në komunat në veri të Kosovës, ku u shoqëruan me arrestimin e dy komisionerëve për shkelje të rregullave të vendosura nga KQZ, por situata është vendosur në normalizimin dhe votimi vijon rregullisht.


“Nëse zgjedhjet do ishin anti demokratike, OSBE nuk do i monitoronte”

Ish deputeti i PD-së, analisti Preç Zogaj ndërsa ka komentuar raportin më të fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit është shprehur se nëse këto zgjedhje do të ishin anti demokratike, OSBE nuk do të pranonte të vinte në Shqipëri dhe t’i monitoronte. Fakti se opozita i bojkotoi dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit u pranua që në krye të herës si nga OSBE ashtu edhe nga SHBA dhe BE dhe ata pranuan që zgjedhjet të zhvilloheshin.

Zogaj gjithashtu thekson se raporti i OSBE ka kritika për të dy kampet e politikës, si për PS-në ashtu edhe për PD-në.


“Është një raport ku të gjitha palët gjejnë diçka në favor të tyre, sepse vetë raporti është kompleks. Në një farë mënyre ka gjithmonë diçka për të gjitha. Dallim nga raportet e tjera është fakti se ky është një raport që shkruan për një palë zgjedhje që s’kanë ndodhur kurrë në Shqipëri pa pjesëmarrjen e opozitës kryesore. Është anormale që zgjedhjet te jenë pa konkurrencë, por u pranuan si të tilla. Përtej kësaj nuk më duket se ka ndonjë gjë shumë të madhe. Një gjë nuk shkon OSBE po të ishte se i konsideron anti demokratike zgjedhjet pa konkurrencë për shkak të mos pjesëmarrjes së opozitës nuk do i kishte vëzhguar. Por fakti se vetë OSBE u bashkua me SHBA dhe BE dhe pranuan për t’i bërë votimet e 30 qershorit, e mbyll këtë diskutim.

Nëse ata do niseshin se këto zgjedhje janë anti demokratike ata nuk do i vazhdonin, por do i rrëzonin që në krye të herës”, është shprehur Zogaj për A2Cnn.

Raporti përfundimtar i OSBE për zgjedhjet e 30 qershorit theksoi se procesi zgjedhor u zhvillua i rregullt në mbi 95% të qendrave të votimit. Raporti konstatoi disa parregullsi dhe faktin se opozita jo vetëm që nuk mori pjesë në zgjedhje por edhe pati sjellje vandale dhe dhune në ditët para 30 qershorit. OSBE i rekomandoi politikës shqiptare bashkëpunim dhe dialog për realizimin e reformës zgjedhore.


Rasti Pjetri dhe Kajmaku, Patozi: Dekriminalizimi, ligj poshtërues, zgjidhja vjen me zgjedhje

Në kulmin e debatit nëse kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i dënuar apo jo në Greqi, ka reaguar dhe kryetari i Partisë Bindja Demokratike. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Astrit Patozi shkruan se ‘ligji i dekriminalizmit’ ishte poshtërues që në fillim për vendin, megjithëse, në atë kohë, sipas Patozit, ky ligj u mendua se do të ishte i përkohshëm.

“Dekriminalizimi ka qenë që nga fillimi një ligj poshtërues për vendin, i cili kishte shkak dhe pasojë kryesisht vesin e “Rilindjes” për t’u furnizuar me “politikanë bashkëkohorë” tek kontigjentet më të inkriminuara të shoqërisë.  Kur ai u miratua disa vjet më parë në parlament, gjithkush mendonte se ai do të ishte i përkohshëm dhe do të kishte vlerë aq sa udhëheqësit dhe partitë e tyre të mësoheshin me rregullat e reja, që banditët apo trafikantët nuk mund të ishin më deputetë, kryetarë bashkish apo zyrtarë të tjerë rangjesh të larta”, shkruan Patozi.


Megjithatë, sipas Patozit, edhe pa atë ligj, kishte vetëm dy rrugë që vendi të shpëtonte na fenomeni i futjes në politikë të personave të inkriminuar. Sipas tij, duhej krijimi i një ‘tradite të konsoliduar të sistemit politik’ dhe tjetra, ndërhyrja menjëherë për të ‘shkulur rrënjët e së keqes’. Në këto kushte, Astrit Patozi shprehet se nisur nga rastet e fundit, arrihet në ‘përfundimin se Shqipëria nuk ka asnjë arsye pse të presë dhe shpresojë në efektet vetërregulluese të dekriminalizimit”.

Ndaj, Patozi, duke folur si kryetar i një partie opozitare, shprehet se zgjidhja e vetme është largimi i Edi Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Patozit, shembujt e fundit nuk janë argument për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por mundësisht duke i zhvilluar ato që nesër, shprehet kreu i PD duke i dërguar një mesazh ‘pajtimi’ edhe Bashës.  “Ndaj edhe është detyrim i çdo formacioni opozitar që të kërkojë dhe provokojë zgjedhje të parakohshme për t’i shkurtuar ditët kësaj qeverie të korruptuar dhe të diskretituar. Çdo qëndrim tjetër do të ishte një akrobaci fyese për shqiptarët, të cilët, në rastin më të mirë, do të konsideroheshin si të pandjeshëm ndaj “të fortëve”, që u serviren si shefa politikë prej “Rilindjes”, për të mos shkuar më larg se kaq”, përfundon Patozi.


Kosova po shkon në zgjedhje, për “hallin” me Serbinë!

Nga Mero Baze

 Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare të parakohëshme, pas shpërndarjes së Parlamentit, që pasoi dorëheqjen disa javë më parë të kryeministrit Haradinaj. Zgjedhjet u provokuan nga kryeministri Haradinaj me shpresë se klima populiste e krijuar pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë dhe heroizimi i tij pas thirrjes në Hagë, mund të ndihmojnë partinë e tij të rritet në zgjedhjet e parakohëshme. Por përtej kësaj llogarie populiste, Kosova ka një spektër politik të copëzuar, parti krahinore ideologjike dhe historike, të cilat po hyjnë në zgjedhje, duke ju shmangur sfidës kryesore që ka shteti më i ri i Evropës në rrugën e tij drejt njohjes, që është Marrëveshja me Serbinë.


Arsyet se përse vendi po shkon në zgjedhje lidhen me Marrëveshjen me Serbinë dhe përpjekjen e dështuar të Presidentit Thaçi, që ta udhëhiqte i vetëm procesin e bisedimeve në një linjë okulte mes Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës e Beogradit. Kundërshtari i tij Ramush Haradinaj, i pafuqishëm t’i kundërvihej Perëndimit direkt për marrëveshjen, e hodhi procesin e bisedimeve në erë, duke vendosur taksën me Serbinë dhe duke bllokuar kështu bisedimet pa kusht. Zgjedhjet e reja, pavarësisht problemeve të brendshme, duhet të prodhojnë një shumicë që ka guximin të marrë përsipër bisedimet me Serbinë ose refuzimin e tyre.

E di që është kohë e keqe të përmendësh në fillim të fushatës elektorale bisedimet me Serbinë, por shumica që do të dalë nga zgjedhjet, do të përballet me këtë temë. Në një vend normal me pjekuri politike, para se të hynin në fushatë, partitë do të mund të bënin një Pakt Kombëtar, lidhur me bisedimet me Serbinë, që ajo të mos bëhej temë e fushatës elektorale, por të mbetet një çështje konsensuale, e gjithë partive që e kanë detyrë ta çojnë para atë proces.

Kjo mund të ishte një tryezë e partive politike, një marrëveshje formale politike, e padetajuar dhe e mbështetur mbi parime të qarta të mos cenimit të pavarësisë së Kosovës, apo dhe forma të tjera. Por kjo është thjeshtë një ëndërr për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi. Nuk ndodh dhe s’ka për të ndodhur, siç nuk ndodh në Shqipëri konsesusi për integrimin në Evropë. Sa herë afron data, Berisha e Meta bëjnë gati molotovët ose kasetat e blera nga prokurorët e tyre. Në mungesë të saj, së paku duhet të bëhet i hapur debati për Marrëveshjen me Serbinë, ku partitë të përcaktohen qartë rreth saj dhe të krijojnë aleanca, bazuar tek këto qëndrime. Kështu të paktën e dimë kush fiton.

Zgjedhjet u provokuan pikërisht nga procesi i bisdimeve me Serbinë dhe produkti politik i tyre, do të jetë ose një shumicë pro marrëveshjes, ose një shumicë kundër. Por kjo duhet të dihet në fushatë, përndryshe do të dëgjojmë patriotë që asin kundër Serbisë në fushatë dhe pazarxhi që do shesin e blejnë deputetë për tendera pas fushatës. Kur zgjedhjet të mbarojnë dhe qeveria e re të formohet, SHBA dhe BE, do të vendosin sërish në tryezën e qeverisë, çështjen e Marrëveshjes me Serbinë.

Që askush të mos detyrohet të gënjejë në fushatë apo pas saj, është mirë që kjo çështje të debatohet për të qartësuar qëndrimin ndaj saj. Pasi shumica e re nuk duhet të forcohet mbi bazën e pazareve për tendera apo vende pune si zëvendësministër, por mbi bazën e qëndrimeve ndaj një çështjeje jetike për të ardhmen e Kosovës. Vetëm kështu mund të shmangen spekulimet populiste, nga ata që qeverisin si hajdutë dhe duan të marrin pushtetin si patriotë.


Lëvizja “Basha ik”, Elezi: PD si PPSH, Basha ta provojë lëkurën në zgjedhje

Pas publikimit në Realstroy.al të lajmit se në shtator ‘nis lëvizja “Basha ik”, nga Selia e PD janë intensifikuar sulmet në drejtim të demokratëve, që kanë shprehur hapur qëndrimin kundër Lulzim Bashës. Sulmet më së shumti janë përqëndruar ndaj Jozefina Topallit, ish-deputetes së PD dhe një prej figurave më të rëndësishme të kësaj partie në kohën e Berishës. Na mediat pranë opozitës deri te figura pranë kreut të PD, Lulzim Basha, kanë sulmuar javët e fundit Topallin, por edhe personalitete të tjerë të lëvizjes “Basha ik”. Ibzen Elezi, pjesë e kësaj lëvizje, kritik i hapur i kryedemokratit Basha, ka bërë një reagim mbrëmjen e së martës, ku i përgjigjet kritikëve të zërave kundër Bashës. Elezi shprehet se argumenti “kritikët e Bashës i shërbejnë Ramës”, është i vetmi argument që ka mbetur në PD. Madje, sipas ish-kryedemokratit të Kukësit, Partia Demokratike ka rënë nën standardet e Partisë Komuniste të dikurshme, që shprehej se “kritika me baza të shëndosha e forcon Partinë”.

“Kritkët e Bashës po i shërbejnë Ramës! Argumenti i vetëm i mbetur. Teorikisht kritika kur është me baza dhe argumenta i shërben gjithmonë çështjes, në rastin korrekt t`i thuash Bashës apo Ramës se e kalon problemin nga diskutimi mbi çështje individi, e trashëguar kjo kryesisht nga sistemi komunist. Po pse nuk merreni me thelbin e kritikave dhe nëse keni argumenta rrëzojini ose përmirësojeni, a e kuptoni se po bëheni qesharak se në kohë e partisë punës, kur dikush thoshte “s`ka buk” i kthenin përgjigjen “armik i partisë” dhe e rrasnin brenda për agjitacion e propogandë. Po as në standardet e PPSH nuk ngriheni do mor të mbaruar, ata të apktën e thonin: “kritika me baza të shëndosha e forcon Partinë”, shkruan ndër të tjera Elezi.


“Po si s`ju vjen turp, për këtë formim mediokër apo servilizëm bajat. Po a e dinë se një ekip futbolli i kategorisë së dytë apo tretë pas ndeshjes bën analizë, si-qysh-tek, e jo një Parti Politike për aksione politike të dështuara apo rezultate katastrofike. Shtatori do të jetë muaj i rëndësishëm, anëtarët duhet të shprehin vullnetin për analizën me debat dhe zgjedhje të reja në PD, a kandidon Basha, patjetër duhet dhe të provojë garë të vërtetë dhe jo me Selamat e Soros për fasadë. Do jenë zgjedhje kur për së pari herë do ketë kandidat të djathtë me pikëpamje të djathta, gjë që i munon PD dhe skenës politike. Aty do shohim se sa i vlen lëkura secilit, përballë votës së anëtarësisë”, shkruan ndër të tjera Elezi.


Zgjidhja e krizës mund të vijë nga Shkodra…ose Meta mund ta thellojë

Zgjidhja e krizës politike mund të vijë nga Shkodra, vetëm nëse palët tregojnë se kanë vullnet politik për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar së fundit. Partia Demokratike zbuloi dokumente sipas të cilave kryebashkiaku i ri i Shkodrës i cili ka marrë mandatin më 29 korrik por ende nuk ka kryer betimin, Valdrin Pejtri, ka qenë i dënuar në Itali. Nëse këto akuza konfirmohen si të vërteta nga prokuroria atëherë në Shkodër do të ketë zgjedhje të reja, pasi Valdrin Pjetri nuk mund të mbajë asnjë post politik e publik, në bazë të ligjit për dekriminalizimin.

Kështu që të ketë zgjedhje të reja topi kalon në fushën e Metës, i cili ka rastin të tregojë këtë herë se është për stabilitet politik dhe për zgjidhje të krizës, apo për kaos dhe amulli. Në bazë të kodit Zgjedhor në rastin konkret kur kryebashkiaku i ri ka marrë mandatin por nuk është betuar akoma, nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja të pjesshme.


Bazuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor i takon presidentit të Republikës që të caktojë datën e re të zgjedhjeve të pjesshme. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit?

Kjo është një pyetje, përgjigja e së cilës i jep zgjidhje krizës, për faktin se ekzistojnë dy mundësi. E para presidenti tregohet bashkëpunues dhe dekreton datën e zgjedhjeve të reja në Shkodër dhe kjo është në favor të zgjidhjes së krizës dhe e dyta presidenti nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit (siç ka treguar deri më sot) dhe si rrjedhojë nuk njeh as Valdrin Pjetrin. Kështu që ai refuzon të dekretojë datë të re zgjedhjesh duke këmbëngulur në zgjedhje më 13 tetor, por jo vetëm në Shkodër, por në mbarë vendin. Në këto kushte kriza thellohet më tej pasi bashkia e Shkodrës mbetet pa kryetar të ri dhe Voltana Ademi vazhdon të qëndrojë në detyrë përtej çdo limiti ligjor.

Por duket se maxhoranca ka dhënë një sinjal bashkëpunimi dhe i ka ofruar një shanc Partisë Demorkatike që të dalë nga ngujimi. Në rast se vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit dhe në rast se në Shkodër ka sërish zgjedhje, PD ka shancin të marrë pjesë në to, jo vetëm për kryetarin e bashkisë por edhe për këshilltarët bashkiakë, për shkak se PS ka ‘ngrirë’ procedurat për konstituimin e këshilli bashkiak në Shkodër. PS është duke pritur verifikimin e dokumenteve të bëra publike nga PD ditën e martë lidhur me kandidatin socialist Valdrin Pjetri. Nëse Pjetri rezulton se është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, edhe këshilltarët e zgjedhur nuk do ta bëjnë betimin. Kjo lëvizje tregon për një vullnet të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugën Partisë Demokratike për të hyrë në zgjedhje. Pra siç duket Shkodra i dha një mundësi të artë politikës që të dalë nga kriza dhe të tregojë vullnet për të ecur përpara./Realstory.al


Skip to toolbar