4 korriku është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj dhe kryeministri Rama dhe Presidenti Meta e kanë nisur mëngjesin e së enjtes me një urim të veçantë. Rama (i cili ka ditëlindjen e tij sot) i cilëson SHBA-të si miq dhe aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë.
“Në këtë ditëlindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve e aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ju priftë e mbara të gjithëve”, shkruan Rama.
Edhe presidenti Meta ka postuar një urim, por në asnjë rresht nuk i cilëson SHBA-të aleatë, por më shumë është përqëndruar tek komuniteti shqiptar në Amerikë, që sipas tij është shumë i shqetësuar për krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë.
“Gëzuar Festën e SHBA! Një rast i mirë sot në veçanti për të uruar të gjithë komunitetin e mrekullueshëm shqiptar që jeton në SHBA dhe që kontribuon fuqishëm për të përforcuar lidhjet dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, në mënyrë që raportet shqiptaro-amerikane t’i shërbejnë jo vetëm interesave reciproke strategjike, por edhe rritjes së kredencialeve demokratike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që në zemrën e saj ka demokracinë, por edhe si një vend i denjë për të çelur negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.
Shqiptarët e Amerikës sot nuk ndihen të lumtur me krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë. Ndaj bëjnë thirrje për reflektim dhe përgjegjshmëri”, shkruan Meta i cili ka bashkëlidhur edhe një artikull të shkruar nga Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës me titull “Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!”, të cilin na fton ta lexojmë.
Në daljen e tij të fundit për mediat, presidenti Meta sulmoi ashpër faktorin ndërkombëtar në Shqipëri dhe veçanërisht ambasadën e SHBA-ve. Sipas Metës, Rama bashkë me ndërkombëtarët kanë krijuar një juntë apo “një grup të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit”. Të gjitha këto akuza, vetëm për faktin se as amerikanët dhe as BE nuk njohu dekretet e tij dhe mbështetën që vendi të zhvillojë zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat sot përmes artikullit që na fton të lexojmë, presidenti i cilëson, si një poshtërsi për qeverinë shqiptare dhe një turp për ndërkombëtarët, pra edhe për SHBA.