Gazmend Bardhi bëri të ditur se Partia Demokratike do të bëjë kallëzim penal për zgjedhjet e 30 qershorit.
Bardhi tha të enjten se PD disponon të dhëna se si ka funksionuar skema e manipulimit të pjesëmarrësve në zgjedhje, ndërsa ka akuzuar anëtarin e KQZ-së, Denar Biba për këtë skemë.
“Ai ka rritur pjesëmarrjen me të paktën 8% apo me rreth 280 mijë votues, duke përdorur Komisionin Qendror të Vjedhjeve, specifikisht, nënkryetarin kamikaz të këtij insitucioni, Denar Biba. Partia Demokratike disponon të dhëna të plota sesi ka funksionuar skema e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve në votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit”-deklaron Bardhi.
Ai tha se KQZ për të humbur gjurmët nuk i hodhi të dhënat e pjesëmarrjes në sistemin online.
“Nuk publikoi asnjë tabelë me rezultatet e votimit për çdo qëndër votimi. Votimet me 1 kandidat dhe të paligjshme kanë përfunduar prej 4 ditësh, por Denar Biba me grupin e tij të krimit, si asnjëherë më parë, nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki. Kjo është e paprecedentë”, tha sekretari i Përgjithshëm i PD.
Në mbyllje Bardhi paralajmëron se PD do bëjë kallëzim penal.
“Partia Demokratike ka vendosur të bëjë kallëzim penal për këtë krim masiv elektoral dhe për shpërdorim detyre duke nisur nga Denar Biba dhe duke përfunduar tek çdo kriminel tjetër pjesë e administratës së Komisionit që ka marrë pjesë në dhunimin e rëndë të ligjit, kushtetutës dhe demokracisë”- pohoi Bardhi.
Dy ditë më herët prokuroria e Përgjithshme njoftoi se pavarësisht akuzave publike asnjë subjekt partiak nuk kishte depozituar asnjë kallëzim penal për zgjedhjet e 30 qershorit.
Kujtojmë se ndërkombëtarët i kanë njohur zgjedhjet dhe rezultatin e tyre.