“Nëse njohin 30 qershorin, Rama gati për tryezë me Bashën e Metën”

AKTUALITET


 “Në rast se Meta, Basha e Kryemadhi njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër, të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara”. Është kjo përgjigjia që dha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në studion e ABC News.

E pyetur nëse Rama do të ulej në tryezë me Metën President e Bashën, kryetar të PD, Spiropali tha:  “Presidenti është në proces shkarkimi, derisa të shkarkohet ne e respektojmë si President të Republikës. Ju e keni dëgjuar gjuhën e Presidentit, ajo nuk është gjuhë për dialog. Në rast se Meta- Basha e Kryemadhi e Berisha njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër. Të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara. Ne e kemi theksuar gjithmonë që tryeza është ajo ku bëhen diskutime”.

Edhe kryeministri Rama e bëri të qartë në fjalimin që mbajti në përfundim të zgjedhjeve të 30 qershorit në selinë e PS-së se është gati t’i shtrijë dorën e dialogun dhe bashkëpunimit opozitës, veçanërisht për reformën zgjedhore që është një kusht i ndërkombëtarëve. I vetmi kusht që vuri Rama dhe që tha se është e panegociueshme dhe e padiskutueshme është reforma në Drejtësi. “Reforma në drejtësi nuk diskutohet, ajo zbatohet”, tha Rama.

Pavarësisht gatishmërisë së maxhorancës për dialog, si presidenti ashtu edhe opozita e kanë bërë të qartë se nuk e njohin 30 qershorin dhe rezultatin e zgjedhjeve, kështu që zhvillimi i një tryeze të tillë s’ka gjasa të mbahet.



Skip to toolbar