Borxhet rrezikojnë “kokën” e disa ekipeve

SPORT


Në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, anëtarët e këtij komiteti kanë vënë “dorën në zemër”, duke u krijuar një hapësirë kohore të mjaftueshme, që klubet të përmbushin kriteret financiare, në mënyrë që të marrin liçensën për të garuar në Superligë sezonin e ri.

Në fakt, Kriteri Financiar është një nga rregullat kryesor, që klubet duhet të përmbushin për të garuar në kampionat. Këto kritere përfshijnë detyrimet ndaj lojtarëve, trajnerëve, federatës, autoriteteve lokale dhe qendrore, që kanë lidhje me përdorimin e infrastukturës, etj. Disa prej klubeve të Superligës “ngelin” te kriteri financiar, pasi kanë detyrime të vjetra dhe të mbartuara financiare, duke nisur nga mosshlyerja e pagave të lojtarëve apo borxhe të ndryshme.

Pavarësisht afatit që FSHF-ja ka lënë për përmbushjen e këtyre kritereve, vështirë se disa prej klubeve të Superligës do të arrijnë që të zgjidhin gjithçka në kohë. Megjithatë, FSHF ka bërë një paralajmërim të fortë për këto klube që nuk do të përmbushin kriteret financiare.

“Në rast se edhe pas këtij afati, kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do ti paraqiten Komisionit të Licensimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se klubi juaj mund të rrezikojë mosmarrjen e licensës e për rrjedhojë edhe mospjesmarrjen në kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020”, shkruan FSHF në njoftimin shpërndarë mediave.

Ende nuk dihet se cilët janë me saktësi klubet që kanë probleme financiare, megjithëse gjatë sezonit që lam pas, Tirana, Luftëtari, Flamurtari kanë pasur probleme me vonesat e pagave të lojtarëve.  Gjithsesi, do duhet të pritet fillimi i muajit gusht, për të parë nëse 10 klubet aktuale të Superligës do të kalojnë “klasën” në “matematikë” apo do të ngelen, duke rrezikuar kështu edhe përjashtimin nga sezoni.



Skip to toolbar