Autoritetet norvegjeze kanë nisur hetimet ndaj ish-kryeministrit të vendit Thornbjorn Jagland për lidhjet e tij me pedofilin dhe trafikantin seksual Jeffrey Epstein.
Emri i Jagland doli disa herë në 3 milionë dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në komunikime me ish-financierin.
Në një prej email-eve të këmbyera mes të dyve, Jagland i përmendte Epstein Tiranën, ku kishte qenë për një vizitë zyrtare në vitin 2012 dhe u takua me figura të rëndësishme në qeverinë e Kohës.
“Isha në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”, shkruante Jagland në email. Në një tjetër komunikim Jagland fliste për një vizitë të mundshme në ishullin famëkeq të trafikantit në Karaibe, që nuk dihet nëse ka ndodhur.
Një njësi speciale e policisë norvegjeze, e cila po analizon dosjet e sapo publikuara të Epstein në SHBA, tha se 75-vjeçari Jagland dyshohej për “korrupsion të rënduar”.
Policia tha se i kishte kërkuar tashmë ministrisë së jashtme të vendit t’i hiqte imunitetin, të cilin ai e gëzon për shkak të rolit të tij të mëparshëm si diplomat i lartë i huaj.
Pas nisjes së hetimit ministri i Jashtëm Norvegjez tha se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Europës që imuniteti i Jagland të revokohet.
Jagland ishte kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996-97 dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës në vitet 2009-19. Ai gjithashtu kryesoi Komitetin Norvegjez të Nobelit në vitet 2009-15.
Gjatë kohës kur ishte në rolin e tij në Këshillin e Europës, norvegjezi mbajti edhe vizitën në Tiranë.
Avokati i ish kryeministrit tha se do të bashkëpunonin plotësisht me hetimin, ndërsa detaje të mëtejshme do të jepen në faza të mëvonshme të hetimit.
