Ish-kreu i UÇK-së, Hashim Thaçi në fjalën përmbyllëse në Dhomën e Specializuar në Hagë në gjyqin që po mbahet ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për krime kundër luftës dhe njerëzimit.
Ai theksoi se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj tij, janë të pavërteta, ndërsa nënvizoi se në kohën që iu bashkua luftës në Kosovë, ka qenë student.
Gazetarja e RTSH bën me dije se në fjalën e tij në Dhomën e Specializuar në Hagë, Thaçi u shpreh krenar për rikthimin e tij në atdhe, ndërsa shtoi se rrezikoi jetën e tij në mbrojtje të vendit.
Po ashtu, Thaçi deklaroi se, fund luftës mund t’i jepte vetëm NATO.
“Dje në Kosovë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë. Nga kjo sallë dëshiroj të përcjell urimin tim për këtë përvjetor të rëndësishëm. Prej tre vitesh në këtë sallë kam dëgjuar akuza nga prokuroria, por jo të vërtetën. Ka vetëm një të vërtetë: unë jam plotësisht i pafajshëm.
Në kohën e masakrave të vitit 1998, unë isha student. Nuk isha në pozicion për të ushtruar kontroll mbi Kosovën. I vetmi që bënte plane në atë kohë ishte Millosheviçi. Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë. Bëra atë që do të kishte bërë secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem.
Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja sërish familjen time. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time – për lirinë. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, dhe askush tjetër“, deklaroi Thaçi.
