Gjashtë ditë nga afati për presidentin e ri, Kosova përballë skenarit të zgjedhjeve

KOSOVA


Kanë mbetur vetëm gjashtë ditë pune deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por ende nuk ka as kandidatë zyrtarë dhe as marrëveshje konkrete mes partive politike. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar ditë më parë se po bën përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të ishin të pashmangshme nëse dështon zgjedhja e kreut të shtetit. Deri tani flitet vetëm për nevojën e një figure konsensuale, por pa një emër të përveçëm.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi. Sipas RTK-së, nëse deri atëherë nuk arrihet zgjedhja, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Takimet e zhvilluara ditët e fundit mes liderëve partiakë nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, të paktën jo sipas deklarimeve publike. Situata mbetet e paqartë, si për sa u përket emrave potencialë, ashtu edhe për ndonjë marrëveshje të mundshme politike.

Pas spekulimeve për një kandidaturë nga familja Jashari – ide e përmendur nga kryediplomati Glauk Konjufca si një figurë që do të siguronte konsensus të gjerë – vetë familja ka mohuar interesimin për këtë post. Ndërkohë, partitë opozitare theksojnë se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një personalitet me reputacion të lartë, integritet të dëshmuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe me kontribute të rëndësishme intelektuale.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të propozojë një kandidat, duke nënvizuar se mbetet e hapur për diskutime mbi standardet dhe atributet që duhet të përmbushë presidenti i ardhshëm.

Nga ana tjetër, LDK-ja konsideron se përgjegjësia për të udhëhequr procesin i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Deputeti Kujtim Shala ka theksuar se kjo çështje është në dorën e mazhorancës, duke shtuar se nuk ka pasur diskutime të brendshme konkrete mbi emra.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkohë, nuk ka dalë ende me një qëndrim publik lidhur me kandidaturat e mundshme.



Skip to toolbar