Komisioni Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shpallur të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Tre anëtarët e trupës gjykuese të KPK-së, me kryesuese Etleda Çiftja, Roland Ilia relator dhe Olsi Komici anëtar, kanë vendosur unanimitetin për shkarkimin e prokurorit Agolli.
Prokurori gjirokastrit është vlerësuar për tre kritere. Si fillim, në seancën dëgjimore që u mbajt të enjten, KPK tregoi problemet e gjetura ndaj gjyqtarit Agolli, një apartament 68.5 metra i blerë në vitin 2007 në Gjirokastër. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është shprehur se për këtë pasuri ishin përdorur dy hua dhe se për të parën në vlerë 3 milionë lekë, nuk ishte deklaruar dhe nuk kishte për të informacione që e provonin.
Megjithatë, Prokurori Agolli nuk ka qenë dakord me gjetjet e KPK-së, duke argumentuar sipas tij mënyrën se si i kishte kryer. Por, gjatë fjalës së tij ai është shprehur se nuk i kishte të deklararuara dhe se nuk dispononte dokumentacion për huanë e parë. Gjithashtu, KPK-ja, ka hedhur poshtë edhe një raport të dytë të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, ku prokurori Agolli cilësohej si i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Ndërkohë, Komisioni ngriti pikëpyetje mbi kriterin e profesionalizimit lidhur me disa vendime pushimi dhe mosnjoftim të palëve.
Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokuroritë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës.