Nga Eduard Zaloshnja
Probabiliteti që Porto Romano të konkurojë Portin e Pireut pas 10 vjetësh është pothuaj zero. Por pas 100 vjetësh gjasat i ka jo të vogla. Dhe kur ndërtohen porte të rinj, mendohet për 100 vjet, e jo vetëm për 10 vjet…
Porto Romano si alternativë ndaj portit aktual të Durrësit
Porti aktual i Durrësit është i mjaftueshëm për situatën aktuale – plotëson nevojat e importeve portuale të Shqipërisë dhe të Kosovës. Por ama nuk ka perspektivë thellimi dhe zgjerimi për 100 vitet e ardhshme. Bregu ranor i Gjirit të Durrësit nuk lejon thellim domethënës të portit, ndërsa zgjerimi i tij do të sillte një shkatërrim të perspektivës urbanistike-turistike-arkeologjike të gjithë zonës pranë detit. Përvoja shekullore e porteve mesdhetare na tregon se portet e vjetra janë kthyer në porte jahtesh, ndërsa portet moderne tregëtare (që sot kërkojnë thellësi dhe gjerësi) janë ndërtuar diku më tutje.
Me fillimin e ndërtimit të Korridorit 8, lind vetiu nevoja e ndërtimit të një porti të madh tregëtar pranë Durrësit. Dhe Porto Romano është një kandidat perfekt – në 100 vjetët e ardhshme mund të thellohet dhe zgjerohet me faza, deri sa të arrijë Portin e Pireut.
Porto Romano si konkurent afatgjatë i Portit të Pireut
Porti i Pireut është porti më i madh në Greqi dhe një ndër më të mëdhatë në Europë. Kompania që administron aktualisht këtë port zotërohet 74% nga kompania shtetërore kineze COSCO (e cila synoi të merrte kontrollin e porteve kyçe të Kanalit të Panamasë, por u zmbraps nga ndërhyrja e fuqishme e Administratës Trump).
Në Portin e Pireut, COSCO sjell shumicën dërrmuese të kontejnerëve aziatikë të destinuar për Ballkanin dhe Europën Qendrore. Dhe përmes Korridorit 10, kontejnerët transportohen me tren dhe kamionë në linjën Pire-Shkup-Beograd- Budapapest- Bratislavë-Vjenë-Pragë-Krakov, e përtej.
Me ndërtimin e Korridorit 8 dhe të Porto Romanos (mundësisht edhe të Triportit të Vlorës), dhe me arritjen e kapacitetit të tyre maksimal pas 100 vjetësh, kostoja e mbërritjes së mallrave deri në Shkup përgjysmohet, krahasuar me koston e transportit Pire-Shkup. Dhe kështu ne mund të konkurojmë Pireun për transportin e mallrave aziatike drejt Beogradit, Budapapestit, Bratislavës, Vjenës, Pragës, Krakovit, e përtej…
