“Rithemelimi” vdes për Natë Kadri/ PD ndryshon statutin për humbjet. Salianji shpërthen kundër Berishës

Më të fundit


Kilometri i fundit nuk dihet kur mbaron, por Rithemelimi i PD mbyllet këtë pranverë. Kryesia e PD vendosi më 23 maj të zgjedhë kryetarin e ri, më 6 qërshor Kuvendin Kombëtar. Sali Berisha ka deklaruar se do të jetë ai kandidat për kryetar dhe dihet në këtë rast sesi del rezultati. Por ka një pengesë, që ai ja vuri vetes në dhjetor 2021. Neni Basha ia ndalon kandidimin për kryetar të PD.

“Statuti do sanksionojë kryetari po humbi zgjedhjet largohet pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet neni Basha” – shprehej Berisha në dhjetor 2021.

Pasi ia mori partinë, karma iu kthye mbrapsht Berishës. Neni Basha nuk u përdor kurrëpër vetë Bashën, Basha iku vetë, por hyn në fuqi për Berishën, me të në krye PD humbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

E vetmja zgjidhje është ta heqi këtë nen. Dhe të hënën në mbledhjen e Kryesise, u zyrtarizua ajo që përflitej prej kohesh: ndryshimet statutore, ku padyshim ai që do preket i pari, është neni 46. Doktori është kujdesur në detaje, ta heqë jo me dorën e tij, por me dorën e ish armikut të Rithemelimit, Gazment Bardhit që me vendim Kryesie u caktua kryetar i grupit të punës për ndryshimet statutore. Dhe dihet, Bardhi i qan punëet e pista për kryetarët. E ka bërë për Lulzim Bashën dhe duket do ta bëjë edhe për Sali Berishën. Rreth tetë muaj më parë, kur edhe vetë sapo kishte dalë nga izolimi i turpërimit elektoral që i bëri Zegjine Çaushi, ai nuk harronte të paralajmeronte se i pari, që duhet të shpëtonte nga turpi i humbjes, ishte Sali Berisha.

“Kam qenë atëherë kundër dhe jam kundër një dispozite të tillë që e konsideroj antidemokratike në një statut të një partie që vepron mbi bazën e rregullave demokratike për dy arsye; së pari sepse çmoj që zgjidhjet nuk janë mekanike, duhet të jenë logjike dhe së dyti nuk mund të ketë rregull statutor që t’i ndalojë një individi një të drejtë kushtetuese që është e drejta për t’u zgjedhur,” shprehej Bardhi në një intervistë për mediat, në 28 qershor 2025.

Berisha nuk tregoi cilat janë ndryshimet statutore, por tentoi të largojë vëmendjen duke sulmuar ambasadorin e BE-së, Gonzato.

“Ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel.Së dyti, ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit”, tha Berisha.

Por dikush e kishte mendjen në mësim. Ervin Salianji i doli i pari kundër ndryshimeve statutore si dhe mënyrës tinzare sesi apo ato po bëheshin.

“Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve.Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar”, thekson Salianji.

Reagimet e Salianjit nuk do ndryshojnë as fatin e statutit, as të zgjedhjes së kryetarit dhe as të kongreseve të Sali Berishës. Ai do zgjidhet sërish në krye të PD. Por pas 6 qershorit Partia Demokratike nuk mund të flasë më përhapje, apo Rithemelim. Rithemelimi mbaroi dhe foshnja lindi e vdekur sërish.



Skip to toolbar