Një dron detar ka goditur një anije kargo me naftë ruse në ujërat e Detit të Zi, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm pranë ngushticës së Bosforit. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloglu, i cili saktësoi se incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.
Anija “Altura”, që lundronte nën flamurin e Sierra Leone, ishte nisur nga porti rus i Novorossiysk-ut me rreth 1 milion fuçi naftë bruto. Goditja ndodhi 18 milje detare larg hyrjes së Bosforit, duke prekur dhomën e motorit. Anija është aktualisht nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Britanisë.
Sipas autoriteteve turke, të 27 anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa roja bregdetare është dislokuar menjëherë në zonë për të monitoruar situatën.
Ndërkohë, Lindja e Mesme po përjeton një përshkallëzim të ri të sulmeve. Pamjet tregojnë një makinë të shkatërruar në qytetin Kafr Qasim, rreth 20 kilometra në lindje të Tel Avivit. Shërbimet e emergjencës raportuan se 6 persona u dërguan në spital me lëndime, ndërsa dëmet materiale në banesa janë të konsiderueshme.
Situata mbetet kritike edhe në vendet e Gjirit. Në Abu Dhabi, zyrtarët konfirmuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, pasi mbetjet e një rakete balistike të interceptuar ranë mbi qytet. Sulme me dronë janë raportuar gjithashtu në Arabinë Saudite dhe Kuvajt. Në Bahrein, autoritetet urdhëruan banorët të qëndrojnë në strehime pas shpërthimit të zjarreve nga mbetjet e raketave.
