Kryeministri Edi Rama ka uruar sot liderin hungarez Peter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën në Hungari, duke e cilësuar atë si fillimin e një kapitulli të ri për vendin.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me kryeministrin e ri për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Urime të ngrohta Peter Magyar për fitoren vërtet mbresëlënëse. I uroj kryeministrit të ri të Hungarisë çdo sukses në përpjekjen e madhe për të hapur një kapitull të ri për vendin e tij dhe mezi pres të punojmë së bashku për t’i afruar edhe më shumë dy vendet tona”, shkruan Rama. Në të njëjtin reagim, kreu i qeverisë shqiptare ka ndalur edhe te raporti me ish-kryeministrin Viktor Orbán, për të cilin ka shprehur vlerësim.
“Ka qenë kënaqësi të punoja me kryeministrin Orban dhe të shihja Shqipërinë dhe Hungarinë të afrohen gjithnjë e më shumë. I uroj mikut tim Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij”, thekson Rama.
