“Harmonizimi me BE-në hap tregje të reja”/ Gonzato: Investimet dhe standardet, sfida kyçe për Shqipërinë

AKTUALITET


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka theksuar se harmonizimi me standardet e BE-së përbën një mundësi kyçe për hapjen e tregjeve të mëdha, por njëkohësisht kërkon investime të konsiderueshme, përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të standardeve, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore.

Gjatë një deklarate publike, Gonzato nënvizoi rëndësinë e respektimit rigoroz të higjienës dhe trajnimit të stafit, duke e cilësuar procesin si sfidues, por të domosdoshëm. Ai theksoi se rritja e ndërgjegjësimit është hapi i parë, ndërsa bizneset duhet të jenë të përgatitura për kërkesat që i presin dhe të mbështeten për t’i përmbushur ato.

Sipas tij, pajtueshmëria me standardet e BE-së nuk duhet parë si barrë, por si një investim afatgjatë. Në këtë kuadër, ai kërkoi më shumë angazhim nga qeveria për të ndihmuar bizneset të kuptojnë më mirë kërkesat, kategorizimin dhe mundësitë për financim.

Ambasadori vuri në dukje se besimi dhe transparenca janë thelbësore për suksesin e reformave, ndërsa bëri të ditur se BE-ja ka akorduar 12.5 milionë euro për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke theksuar se mbështetja nuk pret përmbushjen e plotë të kritereve, por ofrohet paralelisht me procesin.

“Harmonizimi, hap dyert për një treg shumë të madh. Por kërkon investime dhe infrastrukturë. Rreptësi në higjienë, trajnim të stafeve. Është sfiduese. Rritja e ndërgjegjësimit është hapi i parë. Duhet të jeni të qartë për kërkesat që do përballeni, dhe ju duhet mbështetje për t’i përmbushur.

Pajtueshmëria s’është barrë, por investim. Duhen përpjekje më shumë nga qeveria, që të sigurojë që bizneset të kuptojnë kategorizimin dhe mbështetjen që duhet të kenë për më shumë financim.

Pa besim dhe transparencë, as reformat më të mira të projektuara s’kanë sukses. Në BE, jemi të përkushtuar për t’ju mbështetur, ne nuk presim derisa të përmbushni kriteret, por ne po ju ndihmojmë që tani, ju kemi dhënë 12.5 milionë euro për sigurinë ushqimore. Jam i sigurt që AKU po bën këtë gjë, mbështeteni këtë ndihmën tonë. Integrimin në BE nuk e shohim si proces të njëanshëm, por të përbashkët, duhet dialog, bashkëpunim.

Kemi bërë përparim, por hapat e ardhshëm janë vendimtare. 6 kushtet përmbyllëse për kapitullin 12 për sigurinë ushqimore janë përcaktuar, janë të qarta, ndaj dhe duhet të ecim para”, tha Gonzato.



Skip to toolbar