Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një paketë të madhe shitjesh armësh me vlerë miliarda dollarë për disa aleatë në Lindjen e Mesme, duke anashkaluar procesin e zakonshëm të miratimit nga Kongresi.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përdorur kompetencat e tij për të hequr kërkesat për shqyrtim parlamentar, duke argumentuar se ekziston një situatë emergjente që kërkon dërgimin e menjëhershëm të armëve në vendet përkatëse.
Më herët ishte raportuar se vlera totale e shitjeve të miratuara ushtarake tejkalon 8.6 miliardë dollarë, duke përfshirë disa kontrata për vende të ndryshme të rajonit, shkruan skynews.
Sipas detajeve të publikuara nga US State Department, për Izraelin është miratuar shitja e sistemeve “Advanced Precision Kill Weapon Systems” (APKWS), në vlerë prej 992.4 milionë dollarësh.
Ky sistem armësh është i dizajnuar për të goditur automjete lehtësisht të blinduara dhe objektiva të tjerë të lëvizshëm ose statikë në zona urbane, dhe mund të pajiset me eksplozivë të fuqishëm ose me elemente çeliku të tipit “flechettes”.
Po ashtu, është miratuar shitja e sistemeve APKWS për Katarin me të njëjtën vlerë, si dhe një paketë e madhe prej 4.01 miliardë dollarësh për shërbime të furnizimit dhe mirëmbajtjes së sistemit të mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot.
Emiratet e Bashkuara Arabe do të përfitojnë gjithashtu sisteme APKWS me vlerë 147.6 milionë dollarë, ndërsa Kuvajti do të marrë një sistem të integruar të komandimit të betejës në vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh.
Vendimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon dhe ka nxitur diskutime mbi rolin e Kongresit në miratimin e shitjeve të mëdha të armëve amerikane.
