Vetë kandidat, vetë kryetar. Nuk ka garë më 23 maj, do të votohet vetëm Sali Berisha. Vendimi i KOKOE ka skualifikuar të gjithë kandidatët e mundshëm përballë doktorit.
E para, Mereme Sela. Kandidatja surprizë e cila paraqiti dokumentacionin të enjten, fama i vlejti vetëm 24 orë.
Partia Demokratike njofton se mjekja e QSUT është skualifikuar pasi nuk plotëson kriterin e profilit shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiencës drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.
Bashkë me Mereme Selën, për të njëjtat arsye është skualifikuar edhe një pretendent tjetër anonim, Vladimir Mulaj.
Ndërsa për Ervin Salianjin, Evi Kokalarin dhe Alesia Balliun, dokumentacionet nuk janë shqyrtuar fare, ndonëse dosjet e tyre u paraqitën si në seli, si me postë.
Sipas PD, Salianji dhe dy gratë e tjera, nuk plotësojnë kriterin themelor, të jenë anëtar të PD. Në të njëjtën ditë, janë marrë masat edhe për ndryshimet statutore. Është lënë një afat nga 1 maji deri më 10 maj për të paraqitur ndryshimet, dhe më pas ato do të diskutohen edhe miratohen në Kryesi, Këshill Kombëtar e në fund më 30 maj në Kuvendin Kombëtar.
Nuk dihet çdo të bëhet me nenin Basha, PD paralajmëron se ndryshimet do të mbeten konfidenciale, por ajo që dihet është se më 23 maj, PD shkon në referendum, me vetëm një kandidat, të përhershmin, Sali Berishën pa rival.
