“Ne jemi dy superfuqitë”, Trump kërkon marrëveshje sekrete me Xi Jinping! Sot takimi vendimtar

BOTA


Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të mbërrijë këtë të mërkurë në Pekin për takimin e tij të shumëpritur me liderin kinez Xi Jinping, në një moment të ndjeshëm për një botë të prekur nga lufta.

“Ne jemi dy superfuqitë”, u ka thënë Trump gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë. “Ne jemi vendi më i fortë në Tokë për sa i përket ushtrisë. Kina konsiderohet e dyta|”, ka shtuar ai.

Edhe pse Trump përpiqet të shfaqë forcë, vizita vjen në një periudhë delikate për presidencën e tij, pasi popullariteti i tij brenda vendit është ndikuar nga lufta SHBA-Izrael me Iranin dhe rritja e inflacionit si pasojë e këtij konflikti. Presidenti kërkon të arrijë rezultate konkrete përmes marrëveshjeve me Kinën, duke synuar rritjen e blerjeve kineze të produkteve ushqimore dhe avionëve amerikanë. Ai ka deklaruar se me Xi do të flasë “më shumë se për çdo gjë tjetër” për tregtinë.

Administrata amerikane synon të nisë krijimin e një “Bordi të Tregtisë” me Kinën për të trajtuar mosmarrëveshjet mes dy vendeve. Ky mekanizëm mund të ndihmojë në parandalimin e përshkallëzimit të luftës tregtare që u ndez vitin e kaluar pas rritjes së tarifave nga Trump, një veprim që Kina e kundërpërgjigj duke përdorur kontrollin mbi mineralet e rralla. Kjo çoi në një armëpushim 1-vjeçar në tetor.

Megjithatë, vizita e Trump në Pekin zhvillohet në një kohë kur Irani vazhdon të dominojë agjendën e tij të brendshme. Lufta ka sjellë mbyllje të Ngushticës së Hormuzit, duke bllokuar anijet me naftë dhe gaz dhe duke rritur çmimet e energjisë në nivele që rrezikojnë rritjen ekonomike globale.

Presidenti amerikan deklaroi se Xi nuk ka nevojë të përfshihet në zgjidhjen e konfliktit, edhe pse ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ndodhej në Pekin javën e kaluar.

“Kemi shumë gjëra për të diskutuar. Nuk do të thoja që Irani është një prej tyre, sinqerisht, sepse e kemi situatën nën kontroll“, ka deklaruar Trump.

Tajvani dhe tregtia në qendër të diskutimeve

Statusi i Tajvanit pritet të jetë një nga temat kryesore, pasi Kina kundërshton planet e SHBA-ve për shitje armësh ndaj ishullit vetëqeverisës që Pekini e konsideron pjesë të territorit të tij. Trump deklaroi se do të diskutojë me Xi një paketë armësh prej 11 miliardë dollarësh për Tajvanin, e autorizuar në dhjetor, por ende e pa zbatuar.

Ndërkohë, qëndrimi i paqartë i Trump ndaj Tajvanit ka ngritur pyetje nëse ai mund të jetë i gatshëm të ulë mbështetjen për ishullin demokratik.

Tajvani, si prodhuesi kryesor botëror i çipave, është bërë thelbësor për zhvillimin e inteligjencës artificiale. SHBA-të kanë importuar këtë vit më shumë mallra nga Tajvani sesa nga Kina. Trump ka kërkuar të sjellë më shumë prodhim të çipave në SHBA përmes programeve dhe marrëveshjeve të nisura nga administrata Biden dhe të vazhduara prej tij.

Media shtetërore kineze “People’s Daily” publikoi një editorial të fortë, duke theksuar se Tajvani është “vija e parë e kuqe që nuk duhet kaluar” dhe “pika më e madhe e rrezikut” në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Trump: Marrëdhënia me Xi është e fortë

Para nisjes, Trump e paraqiti vizitën si sukses të sigurt. Ai foli për një vizitë të ardhshme të Xi në SHBA dhe shprehu keqardhje që salla e re ceremoniale nuk do të përfundojë në kohë. “Do të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer për shumë e shumë dekada”, u shpreh ai. “Presidenti Xi do të vijë në SHBA nga fundi i vitit. Do të jetë shumë emocionuese“, shtoi më tej.

Trump zbuloi se kishte folur me liderin kinez dhe se takimi do të ishte krejtësisht “pozitiv”. Në avionin Air Force One e shoqëronin këshilltarë, familjarë dhe figura të biznesit si drejtori i Nvidia-s Jensen Huang dhe Elon Musk.

Në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi se kërkesa e tij kryesore ndaj Xi do të jetë zgjerimi i pranisë së kompanive amerikane në Kinë dhe hapja më e madhe e tregut kinez.

“Do t’i kërkoj Presidentit Xi, një lider me përvojë të jashtëzakonshme, të ‘hapë’ Kinën, në mënyrë që këta njerëz të shkëlqyer të bëjnë punën e tyre dhe ta çojnë Republikën Popullore në një nivel edhe më të lartë.”

Marrëveshje bërthamore trepalëshe

Trump gjithashtu synon të ngrejë idenë e një marrëveshjeje mes SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë për kufizimin e armëve bërthamore, sipas një zyrtari të administratës që foli në kushte anonimiteti, raporton AFP.

Kina ka qenë më parë e rezervuar ndaj një pakti të tillë, pasi arsenali i saj, sipas vlerësimeve të Pentagonit, ka mbi 600 koka bërthamore operative dhe është shumë më i vogël se ai i SHBA-ve dhe Rusisë, të cilat kanë mbi 5 mijë secila.

Traktati i fundit i madh për armët bërthamore, New START mes SHBA-ve dhe Rusisë, skadoi në shkurt, duke hequr kufizimet për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli. Trump nuk pranoi ta zgjaste dhe kërkoi një marrëveshje të re që të përfshijë edhe Kinën. Pentagoni parashikon se Kina do të kalojë mbi 1 mijë koka bërthamore deri në vitin 2030.



Skip to toolbar