Skënderbeu ka përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër. Drejtuesit e klubit korçar së bashku me avokatin e studios ligjore, që ka punuar gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur Skënderbeun, kanë dhënë argumentet e tyre në lidhje me rrëzimin e dënimit të dhënë nga UEFA, që konsiston në 10 vite përjashtim nga kupat e europës dhe 1 milion euro gjobë, pas akuzës së ngritur për trukim ndeshjesh.
Seanca dëgjimore me trupën gjykuese në CAS ka nisur në orët e paradites, duke zgjatur deri rreth orës 18:00 pasdite. Nga sa mësohet deri tani, Skënderbeu e ngritur mbrojtjen mbi dy pika themelore, atë të përfshirjes direkte në trukime, gjë e cila nuk është vërtetuar, sipas klubit të korçar dhe pika e dytë ajo e përfitimit direkt nga trukimet, që gjithashtu nuk është vërtetuar nëse drejtuesit e klubit korçar kanë përfituar para nga bastet e vëna gjatë kohës që UEFA dyshon se janë kryer manipulimet e rezultateve.
Ndërkohë, UEFA pretendon në një raport të hartuar nga dy anëtar të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, se Skënderbeu është përfshirë në rregullimin e rezultateve në ndeshjet ndërkombëtare, që ka luajtur në kompeticionet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA. CAS pritet të zbardhë vendimin brenda katër javësh, për të mësuar nëse do të mbetet në fuqi vendimi fillestar i UEFA-s, apo do të rrëzohet.