Dalin minatorët e Trepçës/ Ishin bllokuar prej shumë orësh, pas ndërprerjes së energjisë

KOSOVA


Pas rreth 12 orësh qëndrimi në nëntokë, 18 minatorët që kishin mbetur të bllokuar në minierën e Trepçës në Stan Tërg kanë dalë në sipërfaqe në gjendje të mirë shëndetësore.

Minatorët kishin mbetur në thellësi prej rreth 800 metrash nën tokë që nga ora 01:50 e mëngjesit, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike të shkaktuar nga një defekt në linjën 35 kV Stan Tërg.

Pas angazhimit të ekipeve teknike dhe skuadrave të shpëtimit, është arritur që situata të menaxhohet dhe minatorët të nxirren në sipërfaqe pa pasoja.

Më herët, Ndërmarrja Publike “Trepça” kishte bërë të ditur se në ndërrimin e tretë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë, prej të cilëve 29 kishin arritur të dalin më herët nga miniera, ndërsa 18 të tjerë kishin mbetur brenda.

Gjatë gjithë kohës, sipas përgjegjësve, komunikimi me minatorët ka qenë i vazhdueshëm dhe gjendja e tyre është monitoruar nga afër.



Skip to toolbar