Presidenti amerikan, Donald Trump, do të zhvillojë një tjetër raund bisedimesh me presidentin kinez, Xi Jinping, ndërsa vizitës së tij shtetërore në Pekin po i vjen fundi.
Përpara takimit, Trump deklaroi në një intervistë për Fox News se Xi Jinping është angazhuar të mos furnizojë Iranin me pajisje ushtarake. Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se Kina dëshiron që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe se Pekini ka rënë dakord të blejë naftë nga SHBA-të.
Gjatë vizitës, Trump foli gjerësisht për përfitimet që, sipas tij, ka siguruar nga Kina, por nuk dha detaje mbi atë që Pekini kërkon në këmbim.
Një ditë më parë, 14 maj, Xi Jinping i cilësoi marrëdhëniet SHBA-Kinë si “më të rëndësishmet në botë”, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se bisedimet mes dy vendeve kanë qenë “jashtëzakonisht pozitive”.
Gjatë takimit dypalësh, i cili zgjati pak më shumë se 2 orë, u diskutua për tregtinë, naftën dhe Iranin.
Një nga çështjet kryesore që pritet të dominojë raundin final të bisedimeve është Tajvani. Xi Jinping deklaroi të enjten se Tajvani mbetet “çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA” dhe paralajmëroi për mundësinë e një “konflikti” me SHBA-të lidhur me ishullin vetëqeverisës.
Pas deklaratave të Xi, Ministria e Jashtme e Tajvanit reagoi duke thënë se “Pekini është rreziku i vetëm për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Tajvani shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-të dhe vendet e tjera për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin në rajon.
